Deri në qershor të vitit 2023, afër 43.4 milionë marrës të kredive studentore në SHBA kishin një borxh të përbashkët në vlerë prej 1.63 trilion dollarësh, sipas ueb-faqes për Ndihmë të Studentëve Federalë. Kreditë për edukim të lartë janë trefishuar që nga kriza financiare e vitit 2008.
Normat e larta të interesit dhe këstet e larta nënkuptojnë se të rinjtë amerikanë kanë vështirësi që të blejnë shtëpi apo të bëjnë investime të tjera dhe demokratët për vite të tëra i kishin bërë presion Qeverisë amerikane që të falte këto kredi. Republikanët gjerësisht kundërshtojnë këto politika.
Biden po kërkon që të fitojë një mandat të dytë gjatë zgjedhjeve presidenciale të nëntorit dhe për këtë ka nevojë që të fitojë votat e të rinjve.
“Nuk do të dorëzohem dhe do të përdor të gjitha mjetet që kam në dispozicion që sa më shumë amerikanëve t’ua lehtësoj barrën e kredive studentore dhe të ndërtojë një ekonomi të fortë”, tha Biden.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se vendimi i fundit i Bidenit ka bërë që shifra e përgjithshme e faljes së kredive studentore nën administratën Biden të arrijë në 144 miliardë dollarë dhe kreditë studentore u janë falur pothuajse 4 milionë amerikanëve./rel