Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, është ankuar për “pengesa” në komunikimin midis zyrtarëve të administratës së presidentit aktual, Donald Trump, dhe ekipit të tij të tranzicionit për çështjet kryesore të sigurisë kombëtare.
Biden tha më 28 dhjetor se ekipi i tij është përballur me “pengesa” nga udhëheqësit e Departamentit të Mbrojtjes dhe Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit derisa ata kërkojnë të mbledhin informacionin e nevojshëm për të vazhduar tranzicionin e pushtetit.
“Tani për tani, ne thjesht nuk po marrim të gjithë informacionin që na nevojitet nga administrata në largim në fushat kryesore të sigurisë kombëtare”, tha Biden.
Duke folur në qytetin e tij të lindjes Uilmington, Delauare, Biden tha se ai po kërkonte një “pasqyrë të qartë” nga administrata në largim e sipër mbi forcat e trupave amerikane në të gjithë botën.
Ai tha se ekipi i tij ka nevojë për “rishikim të plotë në planifikimin e buxhetit që po zhvillohet në Departamentin e Mbrojtjes dhe agjencitë e tjera në mënyrë që të shmangë çdo hapësirë konfuzioni”, tha Biden.
Biden foli pasi ai dhe zëvendëspresidentja e zgjedhur, Kamala Harris u informuan nga ekipet e tyre në tranzicion mbi sigurinë kombëtare, duke përfshirë të nominuarit e tij për Sekretar të Shtetit, Sekretar të Mbrojtjes dhe Këshilltarin e tij të ardhshëm të Sigurisë Kombëtare.
Presidenti i zgjedhur tha se ekipi i tij zbuloi se agjencitë kryesore të sigurisë “kanë shkaktuar dëme të mëdha” gjatë kohës që Trump ishte në detyrë.
“Shumë prej tyre janë zbrazur në personel, kapacitet dhe në moral”, tha ai.
“E gjithë kjo e bën më të vështirë për qeverinë tonë për të mbrojtur popullin Amerikan, për të mbrojtur interesat tona jetësore në një botë ku kërcënimet vazhdimisht zhvillohen dhe kundërshtarët tanë po adaptohen vazhdimisht”, shtoi Biden.
Biden foli gjithashtu për nevojën për të rindërtuar aleancat globale, për të cilat ai tha se ishin të nevojshme për të luftuar ndryshimin e klimës, për të adresuar pandeminë e COVID-19 dhe për t’u përballur me kërcënimin në rritje të paraqitur nga Kina.
“Tani për tani, ekziston një vakum i madh. Ne do të duhet të rifitojmë besimin e një bote që ka filluar të gjejë mënyra për të punuar rreth nesh ose pa ne”, tha ai.
Trump zbatoi një politikë të jashtme “Amerika e para” që u shoqërua me një tërheqje nga aleancat dhe traktatet globale. Pas humbjes së tij ndaj Bidenit, në zgjedhjet e 3 nëntorit, ai emëroi, Chris Miller si Sekretar të përkohshëm të Mbrojtjes.
Miller lëshoi një deklaratë më 28 dhjetor duke thënë se përpjekjet e koordinimit të Pentagonit me ekipin e tranzicionit “tashmë i tejkalojnë ato të administratave të fundit”.
Departamenti ka kryer 164 intervista me më shumë se 400 zyrtarë dhe ka siguruar më shumë se 5,000 faqe dokumente, që është “shumë më tepër sesa kërkohet fillimisht nga ekipi i tranzicionit i Biden”, tha Miller në një deklaratë.
Ai shtoi se zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes do të vazhdojnë të punojnë në një “mënyrë transparente dhe kolegiale” për të mbështetur tranzicionin.
Ndryshimet në Pentagon vijnë mes tensioneve me Iranin, të cilin Trump e fajësoi për një sulm me raketa në ambasadën e SHBA-së në Irak në fillim të këtij muaji.
Zyrtarët amerikanë kanë sugjeruar që Irani mund të kryejë sulme hakmarrëse për të shënuar përvjetorin e parë të sulmit me dron amerikan që vrau gjeneralin e lartë të Iranit, Qasem Soleimani dhe udhëheqësit e milicisë irakene jashtë aeroportit të Bagdadit më 3 janar. /rel
Ushtria amerikane godet objektivat e Houthit në Jemen
Presidenti i Federatës Franceze komenton mungesën e Mbappes:...
Izraeli lëshon një paralajmërim të ri evakuimi për Bejrutin ...
Ganimete Musliu: Më 9 shkurt Qeveria Kurti do të shkojë në s...
Plan-atentati ndaj presidentit të Malit të Zi ndoshta dezinf...
Epoka digjitale sjell reduktimin e përdorimit të stilolapsev...