Disa orë pasi nënshkroi paketën e ndihmës prej 1.9 trilion dollarësh, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mbajti një fjalim televiziv për të përshkruar fazën e ardhshme të luftës kundër pandemisë së koronavirusit.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, në përvjetorin e parë të shpalljes së pandemisë, Biden tha se ka dritë në fund të tunelit. Ai tha se secili amerikan i rritur do të ketë të drejtë për vaksinim jo më vonë se data 1 maj.
Masat aktuale u japin përparësi njerëzve sipas moshës ose gjendjes shëndetësore.
“Nëse e bëjmë këtë së bashku, më 4 korrik, ka një mundësi të mirë që ju, familja dhe miqtë tuaj të bashkoheni në oborr dhe të festoni Ditën e Pavarësisë”, tha Biden.
Ai shtoi se vendi do të jetë në gjendje të festojë jo vetëm Ditën e Pavarësisë, por edhe “pavarësinë nga ky virus”.
Mbi gjysmë milioni amerikanë kanë vdekur tashmë nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, dhe Biden paralajmëroi se lufta nuk ka mbaruar ende.
“Derisa dalim nga një dimër i errët në një pranverë dhe verë shpresëdhënëse, nuk është koha të mos iu përmbahemi rregullave”, tha Biden, duke iu bërë thirrje të gjithëve që t’i ndjekin protokollet shëndetësore.
“Mposhtja e virusit dhe kthimi në normalitet mbështeten në unitetin kombëtar”, tha ai.
Për të përshpejtuar vaksinimin, Biden njoftoi se administrata e tij do të punojë me shtetet për t’i bërë të mundshme vaksinat në më shumë qendra shëndetësore të komunitetit, farmaci, lokacione të vaksinimit masiv dhe njësi mobile.
Biden premtoi gjatë fushatës së tij, vitin e kaluar, se do të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të frenuar pandeminë dhe për të adresuar pasojat ekonomike.
Ai vuri si synim administrimin e 100 milionë vaksinave në 100 ditët e tij të para në detyrë dhe Shtetet e Bashkuara – 50 ditë pasi Biden mori detyrën – janë në rrugën e duhur për ta tejkaluar këtë shifër.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, më shumë se 64 milionë njerëz, ose 19.3 për qind e popullsisë, kanë marrë deri më tash së paku një dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Për më tepër, 33.8 milionë njerëz, ose 10.2 për qind e popullsisë, e kanë përfunduar vaksinimin e tyre.
Biden tha se paketa e ndihmës prej 1.9 trilion dollarësh, e miratuar nga Kongresi dhe e nënshkruar nga ai, do t’i ndihmojë amerikanët të rikuperohen nga kriza e koronavirusit.
“Ky legjislacion historik ka të bëjë me rindërtimin e shtyllës kurrizore të këtij vendi dhe dhënien e shansit për të luftuar njerëzve që punojnë, njerëzve të klasës së mesme, njerëzve që ndërtojnë vendin”, tha Biden.
Shtëpia e Bardhë tha se pagesat e drejtpërdrejta prej 1,400 dollarësh për shumicën e amerikanëve – të financuara nga Plani Amerikan i Shpëtimit – do të fillojnë të shfaqen në llogaritë bankare që nga kjo fundjavë.
Plani përfshin gjithashtu para për të ndihmuar në shpërndarjen e vaksinave të koronavirusit, ofron ndihmë për pronarët e shtëpive dhe qiramarrësit, zgjeron pagesat federale për të papunët, ndihmon rihapjen e shkollave, siguron ndihma për shtetet dhe qeveritë lokale dhe zgjerim të kredisë së taksës së fëmijëve.
Projekt-ligji i shpenzimeve, një nga më të mëdhenjtë në historinë e SHBA-së, u miratua në Kongres pa mbështetje të asnjë republikani.
Republikanët e kundërshtuan çmimin e paketës, duke kërkuar që elemente të ndryshme të saj të jenë më të vogla.
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...