Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e përdori heroizmin e ushtarëve amerikanë, të cilët u ngjitën në shkëmbinjtë e Pointe du Hoc në Ditën D të pushtimit para 80 vjetëve, për të bërë thirrje për mbrojtjen e demokracisë brenda dhe jashtë vendit.
Biden foli më 7 qershor në një ngjarje për nderimin e ushtarëve amerikanë, të cilët ishin ngjitur në shkëmbinj duke përdorur litar dhe shkallë derisa po sulmoheshin nga bregdeti gjatë pushtimit që nisi më 6 qershor 1944, dhe përfundimisht e çliroi Evropën nga Gjermania naziste në Luftën e Dytë Botërore.
“Sot jem mbledhur këtu, jo vetëm për t’i nderuar ata të cilët treguan trimëri aq ta jashtëzakonshme atë ditë, më 6 qershor 1944. Por, jemi këtu edhe për ta dëgjuar jehonën e zërave të tyre. Për t’i dëgjuar ata. Sepse ata po na mbledhin këtu. Ata po na pyesin se çfarë do të bëjmë. Ata nuk po na kërkojnë të ngjitemi në shkëmbinj. Ata po na kërkojnë të jemi besnikë ndaj asaj për të cilën Amerika e ngre zërin”, tha Biden.
Të premten gjatë ditës, Biden u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky në Paris, ku theksoi përkushtimin e SHBA-së për Ukrainën, e cila është duke e luftuar pushtimin rus prej vitit 2022.
Ai njoftoi për një dërgesë municioni në vlerë 225 milionë dollarë për Ukrainën, përfshirë raketa, mortaja, predha të artilerisë, dhe raketa kundërajrore.
Ky ishte takimi i parë mes tyre prej se Bideni e nënshkroi legjislacionin për ndihmën ushtarake për Ukrainën në vlerë 61 miliardë dollarë, pas disa muajve vonesa të nxitura nga mospajtimet në mesin e republikanëve.
Bideni i kërkoi falje publikisht popullit ukrainas për vonimin e ndihmës ushtarake amerikane. “Kërkoj falje për ato javë gjatë të cilave nuk dihej se çfarë do të ndodhte në lidhje me financimin”, tha Biden.
Ndërkohë, Zelensky, duke folur në Parlamentin francez, tha se paqja në Evropë, që ka lulëzuar prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, është zhdukur si pasojë e agresionit rus në Ukrainë dhe përbën kërcënim për gjithë kontinentin.
“Ne jetojmë në kohën kur Evropa nuk është më kontinent i paqes. Ne jetojmë në kohën kur nazizmi po kthehet sërish, fatkeqësisht. Tani në Evropë qytetet sërish po shkatërrohen dhe fshatrat po bëhen hi. Në Evropë ende kemi kampe filtrimi, dëbime dhe urrejtja është bërë kult i ri në Rusi”, tha Zelensky.
Në ceremoninë përkujtimore nuk është ftuar as presidenti rus, Vladimir Putin, dhe as zyrtarë tjerë të Rusisë.
Derisa Biden dhe liderët e tjerë evropianë ndodheshin në Francë, Putini foli në një forum ekonomik në Shën Petersburg, duke thënë se Rusia “mbetet njëra prej pjesëmarrësve kryesore në tregtinë botërore”, pavarësisht se përballet me sanksioneve të mëdha për shkak të dërgimit të trupave në Ukrainë.
Putin tha se nuk mendon se janë plotësuar kushtet për përdorimin e armëve bërthamore, sipas doktrinës bërthamore ruse, por shtoi se nuk e përjashton ndryshimin e doktrinës.
“Ne e kemi një doktrinë, e cila thekson se përdorimi i armëve bërthamore është i mundur në një rast të jashtëzakonshëm: kur sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit tonë kërcënohet. Por, kjo doktrinë mund të ndryshohet”, tha ai.
Ai e përsëriti se Rusia është e gatshme për bisedime për paqe, por vetëm nën kushtet e njëjta që ishin diskutuar në Minsk dhe pastaj në Stamboll. Por ai shtoi se themelet për bisedime “duhet patjetër t’i marrin parasysh realitetet e sotme”.
Putin gjithashtu paralajmëroi përsëri se Rusia mund t’iu japë të tjerëve armë me rreze të gjata veprimi për sulme kundër caqeve të Perëndimit, si përgjigje ndaj vendimit të aleatëve të NATO-s për t’i dhënë leje Ukrainës t’i përdorë armët e tyre për sulme brenda Rusisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania e ndryshuan qëndrimin e tyre javën e kaluar dhe i dhanë leje Ukrainës t’i përdorë armët e tyre për të kryer sulme të kufizuar brenda Rusisë, me qëllim për ta mbrojtur qytetin lindor Harkiv.
Para takimit të Bidenit me Zelenskyn, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e përsëriti qëndrimin e NATO-s se Ukraina ka të drejtë të kryejë sulme brenda Rusisë për t’u vetëmbrojtur./REL/
Begaj riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për mbështetje ndaj ...
Studim: Jeta në hapësirë nuk dëmton aftësitë mendore të astr...
Në Tuz të Malësisë vendoset busti i Gjergj Kastriotit
Zelensky bën thirrje për një përgjigje të fortë ndaj shantaz...
Real Madridi e fiton “El Classicon” në basketboll
Sipas Haradinajt, opozita do t’i fitojë zgjedhjet