Sfiduesi demokrat Joe Biden po e akuzon presidentin se është dorëzuar përballë koronavirusit, ndërsa Presidenti Donald Trump i kundërpërgjigjet gjatë aktiviteteve rivale në një shtet që pritet të jetë përcaktues për zgjedhjet.
“Donald Trump është presidenti më i keq i mundshëm, personi më i keq që mund të na udhëheqë në këtë pandemi”, tha zoti Biden në Chester të Pensilvanisë, gjatë një ndalese elektorale të hënën pasdite.
Disa orë më vonë, Presidenti Trump e quajti kundërshtarin e tij në zgjedhjet e 3 nëntorit, “një kandidat patetik” dhe mohoi se administrata e tij ka ngritur “flamurin e bardhë të dorëzimit” në luftën kundër koronavirusit, siç pretendon zoti Biden.
Duke folur me gazetarët në pistën e aeroportit në Allentown, përpara zhvillimit të tubimit të parë nga tre të tillë në Pensilvani, Presidenti Trump tha se zoti Biden “po tund flamurin e bardhë përballë jetës. Ai duhet të dalë nga bodrumi i tij. Ai nuk po largohet nga bodrumi i tij”.
Zoti Biden zhvilloi dy tubime me makina në Pensilvani, duke respektuar udhëzimet për distancimin fizik dhe tha se do të marrë pjesë në aktivitete të ngjashme në ditët në vazhdim në shtete si Ajova, Uiskonsin, Xhorxhia dhe Florida.
Ish-nënpresidenti gjithashtu e kritikoi Presidentin Trump për mohimin e rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara dhe për pretendimin se po sheshohet kurba, ndërkohë që vuri në dukje se presidenti sugjeroi që mjekët po i fryjnë shifrat pasi duan të fitojnë më shumë.
“Si është puna me këtë njeri?”, pyeti zoti Biden.
Të dielën, Shefi i Personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, i tha kanalit CNN se Shtetet e Bashkuara “nuk do ta vendosin nën kontroll” pandeminë e koronavirusit, duke mbrojtur vendimin e administratës së Presidentit Trump për të zhvilluar tubime, ku përdorimi i maskës është i rrallë, si dhe për aktivitete të tjera megjithë rritjen e rasteve me COVID-19.
Zoti Meadows tha se “ne do të vendosim nën kontroll vaksinat, terapitë dhe masat e tjera, pasi ky është një virus ngjitës – siç është pikërisht gripi”.
“Kjo nuk i shpëtoi zotit Meadows; ishte një pranim i sinqertë i strategjisë së Presidentit Trump, që në fillimet e kësaj krize: ngritja e flamurit të bardhë të dorëzimit dhe shpresa se duke e injoruar, virusi thjesht do të largohet. Nuk është larguar dhe nuk do të largohet”, thuhet në një deklaratë të qarkulluar të dielën nga zoti Biden.
Presidenti Trump “nuk do të dorëzohet derisa të gjithë amerikanët të jenë të sigurtë dhe ta kemi mundur virusin”, qartësoi për gazetarët zoti Meadows ditë e hënë, duke thënë se komentet e tij të një dite më parë duhen të merren në kontekstin e plotë dhe se një ilaç terapeutik dhe një vaksinë do të jenë efikase.
Ndërkaq, pesë nga ndihmësit më të afër të Nënpresidentit Mike Pence, ndër ta edhe shefi i tij i stafit, Marc Short, kanë rezultuar pozitiv pas testimit për COVID-19 gjatë ditëve të fundit.
Megjithë kontaktet nga afër me zotin Short dhe të infektuarit e tjerë, Nënpresidenti Pence tha se ai planifikon të vazhdojë me axhendën e tij, duke e quajtur punën e tij “thelbësore”.
Nënpresidenti Pence foli të hënën pasdite për qindra njerëz të tubuar përjashta në temperaturë nën zero në një aeroport në rajonin Iron Range të shtetit Minesota. Të martën ai zhvillon aktivitete në Karolinën e Veriut dhe Karolinën e Jugut.
Udhëheqësit demokratë në Senat, i drejtuan Nënpresidentit Pence një letër ku thuhet se pjesëmarrja e tij do “të ishte një shkelje e qartë e udhëzimeve të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe një shkelje e normave të mirësjelljes dhe respektit”.
Shtetet e Bashkuara kanë raportuar më shumë raste me COVID-19 se çdo vend tjetër – mbi 8.6 milionë të infektuar dhe 225 mijë të vdekur nga koronavirusi./VOA
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...