Presidenti amerikan Joe Biden mban të martën fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku ai do të përpiqet të bindë udhëheqësit se vizioni i tij për drejtimin e Shteteve të Bashkuara dhe qasja ndaj politikës së jashtme do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve më urgjente të botës.
Disa nga këto probleme përfshijnë ndryshimet e klimës dhe luftën në Ukrainë që ka ndikim të gjerë në zinxhirin global të furnizimit dhe tek inflacioni.
Udhëheqësit e vendeve kundërshtare të Shteteve të Bashkuara po e anashkalojnë Asamblenë. Presidenti rus Vladimir Putin, i cili përballet me një urdhër arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, nuk do të marrë pjesë. As presidenti kinez Xi Jinping, apo kryediplomati i tij, Wang Yi nuk do të jenë të pranishëm.
Një objektiv kyç për presidentin Biden në fjalimin e tij është të ruajë mbështetjen për Ukrainën mes thirrjeve në rritje nga vendet në Jugun Global për të përshpejtuar negociatat e paqes midis Moskës dhe Kievit.
Qytetarët e këtyre vendeve në zhvillim mbajnë barrën e kostos së konfliktit në çmimet globale të energjisë dhe ushqimeve dhe janë gjithnjë e më të shqetësuar për mundësinë e një lufte të gjatë.
Shumica e anëtarëve joperëndimorë të OKB-së duan të shohin një zgjidhje diplomatike të luftës sa më shpejt, i thotë Zërit të Amerikës Richard Gowan, një ekspert për OKB-në në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
“Edhe disa nga ata që e kuptojnë situatën e Ukrainës mendojnë se Kievi duhet të fillojë negociatat, ndërsa trupat ruse janë ende në territorin e tij”, thotë ai.
“Fakti që kundërofensiva ukrainase ka bërë pak përparime që bien në sy spektakolare, ua përforcon idenë se është koha për diplomaci”, shton zoti Gowan.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë theksojnë se Uashingtoni do të mbështesë negociata paqeje për një “paqe të drejtë” në Ukrainë bazuar në parimet e integritetit territorial dhe sovranitetit.
Çelësi i dialogut me vendet e hemsiferës jugore, është një takim dypalësh i planifikuar të mërkurën me presidentin brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, kryesuesin e ardhshëm të 20 ekonomive më të mëdha, ose G20-ës.
Ai ka kritikuar Perëndimin për zgjatjen e konfliktit përmes mbështetjes ushtarake për qeverinë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe ka bërë thirrje për bisedime paqeje.
Presidenti Biden do të takohet edhe me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
SHBA-ja ka kritikuar politikat e vijës së ashpër të qeverisë së zotit Netanyahu, përfshirë planin për reformat në gjyqësor, për të cilin kritikët thonë se është rrezik për demokracinë e Izraelit.
Presidenti ukrainas Zelenskyy do të ketë mundësinë të flasë drejtpërdrejt në Asamblenë e Përgjithshme po të martën, ku ai merr pjesë për herë të parë personalisht që kur filloi agresioni i Rusisë. Udhëheqësi ukrainas do të pritet në Shtëpinë e Bardhë të enjten./voa
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...