Si presidenti i zgjedhur Joe Biden ashtu edhe presidenti në largim Donald Trump mbajtën tubime të hënën në shtetin e Xhorxhias, ku dy gara balotazhi të martën do të përcaktojnë nëse republikanët apo demokratët do të kenë kontrollin e Senatit në Shtetet e Bashkuara.
Rezultati i garave për Senatin do të ndikojë në mënyrë dramatike tek funksionimi i legjislativit në gjysmën e parë të mandatit katër-vjeçar të zotit Biden në Shtëpinë e Bardhë.
Zoti Biden tha në një tubim në Atlanta të hënën se votuesit në Xhorxhia “do të përcaktojnë drejtimin, jo vetëm për katër vitet e ardhshme, por për brezin e ardhshëm”.
Ai tha se banorët e Xhorxhias kishin votuar në numër rekord në zgjedhjet presidenciale në nëntor, duke i dhënë atij një fitore të ngushtë në shtet. “Tani, ne kemi nevojë që të votoni përsëri në numër rekord,” tha ai.
Presidenti Trump ishte në qytetin Dalton, një bazë republikane në pjesën veriore të shtetit për një tubim në mbrëmje në mbështetje të senatorëve republikanë David Perdue dhe Kelly Loeffler.
“Është e pamundur të kemi humbur Xhorxhian. Unë mora pjesë në dy zgjedhje. I fitova të dyja”, i tha Presidenti Trump në mënyrë të pasaktë turmës.
Zoti Trump pretendoi përsëri në mënyrë të rreme se zgjedhjet e nëntorit ishin “të manipuluara” dhe i nxiti Republikanët të “vërshonin” në votime të martën.
“Demokratët po përpiqen të grabisin Shtëpinë e Bardhë, nuk mund t’i lejoni. Thjesht nuk mund t’i lejoni të grabisin Senatin amerikan, nuk mund të lejoni që kjo të ndodhë.”
Ndërkohë ai ka vazhduar sulmet kundër zyrtarëve të Xhorxhias për refuzimin e përmbysjes së humbjes së tij të ngushtë ndaj zotit Biden në këtë shtet në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Zoti Biden bëri fushatë për dy demokratët, Jon Ossoff, një producent dokumentarësh televiziv që po përballet me Senatorin Perdue, dikur një drejtues ekzekutiv biznesi dhe reverendin Raphael Warnock, një prift Baptist që po përballet me senatoren Loeffler, një nga ligjvënëset më të pasura në Shtetet e Bashkuara.
Sondazhet tregojnë se dy demokratët kanë një epërsi të lehtë në balotazhet që u bënë të domosdoshme sepse asnjë nga katër kandidatët nuk fitoi shumicën e nevojshme në votimet e nëntorit. Xhorxhia është një shtet historikisht republikan. Zoti Biden ishte kandidati i parë demokrat presidencial që fitoi atje që nga viti 1992.
Pjesëmarrja përfundimtare e votuesve për zgjedhjet e Senatit pritet të jetë jashtëzakonisht e lartë, me më shumë se 3 milion vota të hedhura deri tani në votimin e hershëm, dy të tretat e votimit personalisht në qendrat e votimit dhe një e treta me postë.
Pesë milion vota u hodhën në Xhorxhia në votimet e nëntorit, por rreth 100,000 njerëz që nuk votuan në ato zgjedhje, e kanë bërë një gjë të tillë në balotazhet për Senatin.
Asnjë nga votat e hershme nuk do të numërohet deri të martën në varësi të diferencës në rezultate, fituesit mund të mos shpallen që natën e zgjedhjeve.
Zyrtarët thonë se votimi i hershëm në garat e Senatit ishte veçanërisht i përhapur në zonat demokrate ku fitoi zoti Biden, por republikanët thonë se parashikojnë që pjesëmarrja e tyre të jetë më e lartë në votimin e së martës. Një skenar i ngjashëm u shpalos në nëntor në Xhorxhia dhe në të gjithë vendin kur shumë më tepër demokratë votuan para ditës së zgjedhjeve, ndërsa më shumë Republikanë votuan personalisht në ditën e zgjedhjeve.
Zgjedhjet e Senatit po vëzhgohen nga afër në Uashington si nga ekipi i tranzicionit të zotit Biden ashtu edhe kundërshtarët e tij republikanë, si një tregues i pushtetit që mund të ketë presidenti i ardhshëm në avancimin e programit të tij legjislativ, pasi ai dhe Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris inaugurohen më 20 janar.
Pas ceremonive të betimit të dielën në Kongres, Republikanët kanë aktualisht një avantazh 50-48 në Senat.
Një fitore e republikanëve në njërën ose të dyja garat e Xhorxhias do t’i jepte asaj partie shumicën dhe të drejtën për të përcaktuar axhendën e Senatit, si edhe për të kryesuar të gjitha komisionet e Senatit.
Nëse kandidatët demokratë Warnock dhe Ossoff fitojnë, Senati do të ishte i ndarë 50-50 mes demokratëve dhe republikanëve, duke i dhënë zonjës Harris mundësinë për të hedhur votën vemdimtare në favor të Demokratëve në drejtim të organizimit të komisioneve dhe kontrollin e kalendarit legjislativ.
Në Shtetet e Bashkuara, nënpresidenti i vendit është president i Senatit.
Një kontroll republikan do të komplikonte miratimin e programit legjislativ të zotit Biden gjatë dy viteve të ardhshme, duke shkaktuar negociata të stërgjatura për çështje të tilla si përfitimet e kujdesit shëndetësor, imigracioni apo ndryshimet klimatike.
Zoti Trump ka premtuar se gjatë fjalimit të tij në Xhorxhia të hënën në mbrëmje, do të sulmojë përsëri rezultatin e garës presidenciale kundër zotit Biden në atë shtet, ku ai humbi për më pak se 12,000 vota. Një numërim fillestar i votave dhe dy rinumërime, të gjitha nxorrën presidentin e zgjedhur Biden fitues.
Në një telefonatë të shtunën, Presidenti Trump i kërkoi zyrtarit më të lartë të zgjedhjeve të shtetit, Sekretarit republikan të Shtetit Brad Raffensperger, që të gjente 11,780 vota të tjera për të përmbysur humbjen e tij ndaj zotit Biden.
Por zoti Raffensperger nuk e pranoi këtë kërkesë dhe i tha televizionit ABC News të hënën se presidenti “thjesht e kishte gabim” kur thoshte se se kishte mashtrime në numërimin e votave në Xhorxhia.
Pavarësisht pretendimeve të tij për mashtrim në votimet e nëntorit, zoti Trump po bën thirrje që republikanët të dalin për të votuar për sentorët Perdue dhe Loeffler për të ruajtur shumicën republikane në Senat./voa
Blinken synon të vazhdojë punën për përfundimin e konfliktev...
Osmani ndan fotografi nga diskutimet me liderë në samitin e ...
Bisedë e gjatë mes tyre, çka po i mundon Rovenën dhe Mevlani...
Çfarë ushqimesh duhet të hani kur keni sheqer të ulët në gja...
Nesër mblidhet Komisioni hetimor për tekstet shkollore, inte...
Burimi përfshihet nga paniku dhe ndihet i rrezikuar nga zarf...