Presidenti amerikan, Joe Biden i ka fituar lehtësisht zgjedhjet paraprake demokratike në Miçigan të martën, mirëpo një votë proteste e demokratëve të zemëruar për mbështetjen e tij për luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gazë, i ka tejkaluar pritshmëritë e organizatorëve.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Ish-presidenti amerikan Donald Trump, i ka fituar bindshëm zgjedhjet paraprake republikane në këtë shtet, duke i rritur mundësitë për të fituar nominimin e partisë së tij, për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Ndonëse Biden dhe Trump është pritur që të fitojnë lehtësisht në zgjedhjet paraprake në këtë shtet, procesi i numërimit të votave është vëzhguar prej afër, për të parë dozën e mbështetjes që ata gëzojnë.
Në Miçigan, ku gjendet një komunitet i madh arabo-amerikan, votuesve demokratë u është bërë thirrje që të plotësojnë fletëvotimet si “të pavendosur”, si shenjë proteste për politikën e Bidenit për Gazën.
Pas pothuajse gjysmës së votave të numëruara, numri i votuesve “të pavendosur”, ka shkuar në mbi 58.000, sipas organizatës Edison Research, duke e tejkaluar shifrën 10.000 që e kishin pritur organizuesit e protestës.
Shumë prej pjesëtarëve të komunitetit arabo-amerikan, që e kanë përkrahur Bidenin më 2020, tani janë të zemëruar.
Biden ka thënë më vonë, përmes një deklarate, se falënderon çdo banor të Miçiganit, të cilit i është dëgjuar zëri.
“Shfrytëzimi i të drejtës së votës dhe pjesëmarrja në demokraci, është çfarë e bën Amerikën të mrekullueshme”, ka thënë ai.
Sipas Edisonit, Biden gëzon 80 për qind mbështetje në Miçigan, ndërsa 13 për qind janë të pavendosur.
Pas 58 për qind të votave të numëruara të republikanëve, Trump gëzon 67 për qind mbështetje, në krahasim me kundërkandidaten e tij, Nikki Haley, me 27 për qind.
Ky shtet e ofron vazhdimisht mundësinë e identifikimit të votuesve si “të pavendosur”, për të kuptuar bazën e mbështetjes për një kandidat.
Miçigani pritet të luajë rol vendimtar në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, kur pritet të përballen kokë më kokë Bideni dhe Trumpi./rel/
Në një fesitval golash, Liverpooli triumfon derbin në udhëti...
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League