Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dënoi sot përpjekjen e Rusisë për të aneksuar territorin e Ukrainës dhe njoftoi vendosjen e sanksioneve të reja.
Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se Rusia po shkel ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Deklarata thekson se këto veprime të Rusisë nuk kanë legjitimitet dhe se Shtetet e Bashkuara do të respektojnë gjithmonë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës dhe se do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Ukrainës për të rimarrë kontrollin e territorit të saj.
Në përgjigje të pretendimeve false të Rusisë për aneksimin e territorit, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët njoftuan sot sanksione të reja ndaj individëve dhe entiteteve brenda dhe jashtë Rusisë, të cilët ofrojnë mbështetje politike apo ekonomike për përpjekjet e paligjshme për të ndryshuar statusin e territorit të Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara kanë shtuar në listën e sanksioneve Guvernatoren e Bankës Qendrore ruse, Elvira Sakhipzadovna Nabiullina, e cila ka qenë edhe këshilltare e Presidentit rus Vladimir Putin, familjet e Kryeministrit rus Mishustin dhe Ministrit të Mbrojtjes Shoigu, 109 deputetë, Këshillin e Federatës së Asamblesë Federale të Rusisë dhe 169 anëtarë të saj.
Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione edhe ndaj 14 kompanive furnizuese, ndër to edhe dy ndërkombëtare, “për mbështetjen e zinxhirëve të furnizimit ushtarak të Rusisë”.
Ndër entitetet e sanksionuara përfshihen 57 entitete të reja në Rusi dhe Krime që Uashingtoni i akuzon se kanë ndihmuar “sulmin brutal të ushtrisë ruse ndaj Ukrainës”.
Këto përfshijnë kompani që blenë ose u përpoqën të blinin sende të origjinës amerikane për ushtrinë ruse dhe ato që kërkuan teknologji kompjuterike kuantike për përpjekjet e luftës.
Shtetet e Bashkuara bënë gjithashtu një paralajmërim për vendet e tjera që mbështesin përpjekjet e Rusisë.
“Kontrollet aktuale të eksporteve të Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë mund të zbatohen për entitetet në vendet e treta që kërkojnë të ofrojnë mbështetje materiale për sektorët ushtarakë dhe industrialë të Rusisë dhe Bjellorusisë”, thuhet në një deklaratë të Thesarit.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu u zotuan se do të punojnë për ta bashkuar komunitetin ndërkombëtar në dënimin njëzëri të këtyre lëvizjeve të Rusisë, si dhe për ta mbajtur atë përgjegjëse për veprimet e saj./voa/
Ismet Bahtijarit i vazhdohet paraburgimi nga Specialja
Dronë të dyshimtë mbi bazat ushtarake amerikane, Britania di...
Vesa Luma shënon 20-vjetorin e karrierës së saj me koncert m...
Gjermani, AfD rekomandon daljen nga BE në programin e saj el...
Gjatë fundjavës priten reshje shiu dhe bore në Kosovë
Alisson zbulon klubin ku dëshiron të transferohet pasi të la...