Google ADS

Betimi i Belerit, Greqia nuk heq dorë nga vetoja

15:35 | 22 Shkurt 2024
K.B

Nga qyteti i Janinës, disa kilometra larg kufirit, ministri grek i Mbrojtjes Kombëtare, Nikos Dendias, i ka dërguar Shqipërisë një tjetër mesazh kërcënues për mos heqjen e vetos për negociatat në BE.

Dendias përfaqësoi qeverinë e Mitsotakis në përvjetorin e 111-vjetorit të çlirimit të Janinës nga zgjedha osmane. Shqipëria sipas ish-ministrit të Jashtëm, sot kreu i Forcave të Armatosura greke, duhet që të respektojë traktatet evropiane sidomos në mbrojtjen e minoriteteve.

“Greqia është një vend që mbështet fuqishëm perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër më duhet që t’i dërgoj një mesazh Shqipërisë fqinje, e cila po përpiqet t’i bashkohet familjes evropiane. Ky shtet duhet të ketë parasysh nevojën për të respektuar traktatet evropiane sidomos në mbrojtjen e minoritetit grek”, tha Dendias.

Më 30 Nëntor të vitit të kaluar, Greqia zyrtarizoi veton e saj duke njoftuar edhe 26 vendet e tjera anëtare të BE-së se nuk lejon hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë. Pala greke e kushtëzon vendimin pozitiv për hapjen e grupit të parë të kapitujve në negociatat e anëtarësimit me lejimin e betimit të Fredi Belerit, si kryetar i Bashkisë së Himarës.

Më 13 Shkurt, Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi dënimin me 2 vite e 6 muaj burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri dhe 2 vite burg për bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi.

Fredi Beleri u arrestua më 12 Maj në lokalin e tij në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Seanca radhës kur do të dëgjohen konkluzionet përfundimtare të palës mbrojtëse është caktuar më 28 Shkurt dhe më pas i takon GJKKO të japë vendimin për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës./Klan News

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme