Kina shtyp ujgurët, mbështet Rusinë në luftën e Ukrainës. Berlini zyrtar do të ridimensionojë marrëdhënien me Pekinin. Problemi është se rivalja sistemor, Kina është partnerja më e rëndësishme ekonomike e Gjermanisë.
Dokumentet që u publikuan ishin shokuese: Pamjet nga provinca Ksinjang tregonin kampe internimi të ruajtura rreptësisht, karrige torture, roje me shkopinj, të burgosur të keqtrajtuar. Në protokolle të funksionarëve të lartë të partisë kërkohet që të qëllohet mbi ata që duan të arratisen. Fjala është për refugjatë ujgurë, që sipas qëndrimit kinez ndodhen në qendra shkollimi profesional dhe nuk janë të burgosur. Hulumtimet e një ekipi ndërkombëtar investigues të mediave provojnë me “dosjet Ksinjang të policisë”, se me çfarë brutaliteti e shtyp Kina pakicën myslimane të ujgurëve. Publikimi i tyre bëhet në një kohë, kur flitet shumë për një politikë të jashtme të orientuar nga vlerat. Dhe vërtet dokumentet i kanë dhënë një shtysë të re politikës gjermane në drejtim të Kinës.
Krahas partneritetit të fuqishëm energjitik me Rusinë, Kina ka qenë një shtyllë tjetër e fortë e modelit ekonomik gjerman të dekadave të fundit, dhe që po vihet tani në pikëpyetje, gati përmes të gjithë partive politike. E ngarkuara e qeverisë gjermane për të drejtat e njeriut, Luise Amtsberg kërkon një politikë tjetër ndaj Kinës. Kemi nevojë për një debat për varësinë ekonomike nga shtete, që kanë një bilanc të tillë të tmerrshëm të të drejtave të njeriut, tha politikanja e gjelbër për portalin gjerman, “Redaktionsnetzwerk Deutschland”. Politikani i CDU-së, Michael Brand, drejtues i grupit të punës për të drejtat e njeriut në Bundestag është shprehur, se ashtu si po pavarësohemi në çështjen e energjisë nga Rusia, ashtu duhet të bëhemi të pavarur edhe nga marrëdhëniet ekonomike me Kinën.
Afrim dhe distancë
Në nivel qeveritar, kancelari gjerman, Olaf Scholz u shpreh i shqetësuar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos për rritjen e pretendimit për pushtet të Kinës. Natyrisht që Republika Popullore është një “aktor global”, tha Scholz. Por aq pak sa rrjedh prej kësaj nevoja për ta izoluar Kinën, po “aq pak rrjedh përtej kësaj edhe pretendimi për hegjemoni kineze në Azi.” Ne nuk mund të mos reagojmë, kur shkelen të drejtat e njeriut, siç po ndodh tani në Ksinjang, u shpreh Scholz.
Javën që kaloi ishte ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck që kishte kërkuar më shumë distancë kundrejt Kinës. Republika Popullore është vërtet një partner i madh tregtar, tha Habeck, por ka shumë “probleme relevante” në respektimin e të drejtave të njeriut. “Kjo është lënë mënjanë vite me radhë. Kjo qeveri e ka ndryshuar mënyrën e qasjes ndaj probemeve me Kinën”, tha Habeck. “Ne po diversifikohemi më shumë, dhe zvogëlojmë varësinë tonë nga Kina. Respektimi i të drejtave të njeriut ka më shumë peshë.”
Për një çerek shekulli marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Kinës ishin marrëdhënie të forta ekonomike. Kjo funksionoi kaq mirë, saqë Kina në vitin 2021 për të gjashtin vit me radhë ishte partneri më i rëndësishëm ekonomik i Gjermanisë. Bizneset në lulëzim shoqëroheshin nga një shkëmbim intensiv bilateral. Kina dhe Gjermania po ashtu kanë zhvilluar një “partneritet të gjerë strategjik”, ku të dyja vendet takohen çdo dy vite për konsultime qeveritare, me pjesëmarrje të krerëve të qeverive dhe ministrave.
Partnere, konkurrente, rivale
Por partneriteti gjermano-kinez tregon ndërkohë krisje të dukshme. Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Europës nga njëra anë e Kinës nga ana tjetër përcaktohen ndërkohë nga partneriteti, por edhe nga konkurrenca dhe rivaliteti i sistemeve. Kohët e fundit ka fituar më shumë peshë rivaliteti. Marrëveshja e koaliconit qeveritar gjerman e përmend këtë, aty ku thuhet se “për të ndjekur vlerat dhe interesat tonë në rivalitetin sistemor me Kinën, kemi nevojë për një strategji të zgjeruar në Gjermani në kuadër të një politike të përbashkët BE-Kinë.” Kjo strategji është duke u përpiluar aktualisht në Ministrinë e Jashtme. Hollësi nuk bëhen të ditura, por mund të supozohet, se qëndrimi i Kinës kundrejt Rusisë do të ketë influencë në këtë zhvillimin e kësaj strategjie. Drejtori i Institutit të njohur për politikën ndaj Kinës, Merics, Mikko Huotari kërkoi në fillim të majit që në të ardhmen angazhimi ndaj Kinës të “kalibrohet me masën e mbështetjes që Pekini i jep Putinit”. Prioritet sipas tij duhet të ketë reduktimi i atyre varësive që në rast krize do të kufizonin aftësinë strategjike vepruese të Gjermanisë.
Kthesë?
Ishte i dhimbshëm dhe i shtrenjtë zgjimi për varësinë energjitike gjermane ndaj Rusisë. Por mpleksjet ekonomike me Kinën janë shumë më të mëdha dhe intensive. Shkëputja e modelit të ekonomisë gjermane nga Kina duhet të jetë shumë më e vështirë se heqja dorë nga energjia e lirë nga Rusia. Në të njëjtën kohë ngrihen konflikte të reja, sidomos në kthesën energjitike. Psh. në të ardhmen në Gjermani do të duhet që panelet diellorë në çati të prodhojnë më shumë energji ekologjike. Por një lëndë e rëndësishme e këtyre paneleve është polisiciliumi. 40% e prodhimit botëror të kësaj lënde vjen nga Kina, pikërisht nga provinca Ksinjang, atdheu i ujgurëve të shtypur.
Wolfgang Niedermark, drejtor për Azinë në Shoqatën Federale të Industrisë Gjermane, BDI pranon në bisedë me DW, se “sidomos në sektorin e lëndëve minerale ekziston pjesërisht një varësi strategjike dhe e rëndësishme ndaj Kinës”. Ai kërkon që të kemi nën kontroll këtë varësi dhe të investojmë në partneritete të tjera. Niedermark thotë se “po mësojmë me luftën në Ukrainë, dhe zbulimet e fundit nga Kina, se në mënyrën e veprimit me autokracitë nuk ka siguri”. Por sipas tij edhe në të ardhmen do duhet “të vazhdojmë të bashkëpunojmë ekonomikisht me vende që nuk janë demokraci liberale. Vetëm kështu BE mund të mbetet një aktore globale në shkallë ndërkombëtare dhe e fortë.”
Kush është i varur nga kush?
Në të vërtetë është Kina ajo që është shumë më e varur nga tregu europian se Europa. Këtë e thotë Jörg Wuttke, presidenti i Dhomës Europiane të Tregtisë në Kinë. Ai i njeh faktet dhe të dhënat. “Ne eksportojmë përditë mallra në vlerë 600 milionë euro drejt Kinës. Kinezët eksportojnë në ditë mallra në vlerë 1,3 miliardë euro drejt Europës”, thotë Wuttke për DW. Por tek investimet është ndryshe. Koncernet e mëdha të automobilëve, sektori kimik, ai i makinerive janë pozicionuar fort në Kinë dhe prodhojnë për Kinën në tregun kinez. Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, tërësia e investimeve direkte gjermane në Kinë është 86 miliardë euro. Kaq shumë angazhim e vështirëson shkëputjen. “Do të mbyllim fabrikat tona?” pyet Wuttke. Investimet kineze kanë qenë shumë fitimprurëse vitin e kaluar, sipas ekspertit. “Ky përfitim ka mbështetur kurset e aksioneve në vendin tonë dhe ka krijuar vende pune.” Janë miliona vende pune në Gjermani që varen nga investimet kineze.
Por toni nuk ka ndryshuar vetëm në perëndim. “Decoupling” është edhe politikë e Kinës. Sidomos që kur firmat teknologjike kineze duhet të punojnë pa chipat e rëndësishëm për shkak të sanksioneve amerikane. Në mars 2021 Kina në planin e 14-të pesëvjeçar të saj përcaktoi një kurs të qartë të “zvogëlimit të varësisë nga bota dhe në fund të arrihet një masë e madhe e pavarësisë në vend”, shkruan Dhoma Europiane e Tregtisë në një dokument të saj për Kinën.
Duket se bota globale po shpërbëhet gjithnjë e më shumë. Vetëm mund të presësh me interes, se çfarë përgjigjesh për strategjinë ndaj Kinës do të gjejë qeveria gjermane./ DW
Osmani takon mërgimtarët në Kanada: Kudo, një copëz Kosove &...
GJKKO dënon me 2 vjet e 8 muaj burg ish-kryebashkiakun e Dur...
Murati – Bajramit: Hykmete, s’paske mësu as sot, ulu njësh
Hamza u bënë thirrje mërgimtarëve në Gjermani që të regjistr...
Të premten bëhet tërheqja e shortit për Kupën e Kosovës
Haradinaj: Kosova nuk duron qeveri që humbjet i mbulon me de...