Në Berlin presin të diskutojnë miqësisht me administratën Biden mospërputhjet në marrëdhëniet dypalëshe. Në Gjermani ka ndërgjegjësim se duhet marrë përgjegjësi më e madhe ushtarake dhe diplomatike, shkruan Auron Dodi.
Lehtësimi i jashtëzakonshëm u shpreh në Gjermani që kur Joe Bideni i fitoi zgjedhjet presidenciale. Kurse të mërkurën (20.01.), kancelarja Angela Merkel i shkroi presidentit të ri të SHBA, Joe Biden dhe zëvendëspresidentes Kamala Harris se pret me gëzim një kapitull të ri, të miqësisë dhe bashkëpunimit gjermano-amerikan. Të enjten (21.01.), në konferencën federale të shtypit, kancelarja Merkel tha se “me Bidenin ekziston një hapësirë shumë më e gjerë konsensusi politik”. Bashkëpunimi bazohet sërish “në një themel më të gjerë të bindjeve të përbashkëta.”
Merkeli veçoi se me SHBA mund të bashkëpunohet sërish në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe në Marrëveshjen e Klimës së Parisit. Edhe për politikën e migrimit, Merkeli mendon se të dyja palët kanë mendime të ngjashme. Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha në televizionin gjerman se kohezioni, e vërteta dhe respekti, qenë ato që mbizotëruan në fjalimin e Presidentit Biden, një bazë e mirë për bashkëpunim.
residenti Biden tha në fjalimin e tij kur mori detyrën se „do të riparojë aleancat”. Ndërsa I Ngarkuari i Posaçëm amerikan për Klimën, ish-ministri i Jashtëm amerikan, John Kerry e quajti të mërkurën Gjermaninë “aleaten më të rëndësishme”. Ai tha se për klimën do të nisin bisedime me “liderët e Evropës”.
Jo vetëm për këtë çështje pritet që ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës të shkojnë për konsultime në SHBA.
Por në Gjermani janë njëkohësisht realistë për marrëdhëniet me SHBA. Kancelarja Merkel pranoi në konferencën e shtypit se Gjermania dhe Evropa duhet të mbajnë përgjegjësi më të madhe ushtarake dhe diplomatike, në rrafsh ndërkombëtar.
Janë një sërë çështjesh, ku pritet që edhe qeveria Biden të ketë me BE dhe me Gjermaninë, si kombi më i madh i BE, fërkime apo debate.
Së pari, janë marrëdhëniet me Kinën. Ministri i ri i jashtëm amerikan, Tony Blinken e quajti Kinën kundërshtaren kryesore të SHBA. Sipas medieve gjermane, bashkëpunëtorët e Bidenit u përpoqën ta pengojnë marrëveshjen për qasjen e kompanive evropiane dhe atyre kineze në tregjet reciproke, për të cilën BE sapo ra dakord me Kinën, nën presidencën gjermane të Këshillit të BE.
Por kancelarja Merkel deklaroi në verë, në një fjalim në Fondacionin Konrad-Adenauer se “BE ka një interes të madh strategjik për ta formësuar aktivisht bashkëpunimin me Kinën, aktor i rëndësishëm i këtij shekulli”. Ajo shtoi se “fakti që na ndajnë gjëra shumë bazore nuk duhet të jenë argument kundër bashkëpunimit”.
Në Berlin presin të diskutojnë miqësisht me administratën Biden mospërputhjet në marrëdhëniet dypalëshe, shkruan Auron Dodi.\
BE regjistron faktin që Kina është tregu më i madh i botës, i cili rritet më shpejt. Dhe që Kina krijoi së fundi me 14 shtete të tjera bllokun tregtar më të madh të botës, atë aziatik-paqësor.
Së dyti, pikë tjetër debatesh pritet të jenë doganat amerikane për produkte të ndryshme evropiane. Pritet që p.sh. për doganat për çelikun, Bideni të ndërhyjë për ta zbutur qëndrimin amerikan.
Së treti, diskutime me amerikanët priten edhe për shpenzimet ushtarake të Gjermanisë. Dhe për gazsjellësin Nordstream 2.
Shpenzimet ushtarake dhe Nordstream 2 – në krye të konsultimeve me amerikanët
Qeveria gjermane i përmbahet edhe më tej vendimit për ta përfunduar gazsjellësin Nordstream 2, që do të sjellë gaz nga Rusia në Gjermani e Evropë. Nga ky gazsjellës, prej 1.225 km, kanë mbetur vetëm 150 km, deri në përfundim. Këto ditë sapo hynë në fuqi sanksione të reja të administratës Trump kundër firmave, që e ndërtojnë gazsjellësin. Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas tha të enjten (21.01.) se “për pikëpamjen tonë, sanksionet ekstraterritoriale nuk janë në rregull.” Por për këtë gjermanët do të zhvillojnë tani konsultime qeveritare me amerikanët, nuk do t’i mësojnë më gjërat nga mediet.
Në Berlin presin të diskutojnë miqësisht me administratën Biden mospërputhjet në marrëdhëniet dypalëshe, shkruan Auron Dodi.
Anija ruse “Fortuna”, që shtron tubacione nën det preket nga sanksionet e reja amerikane.
Qeveria gjermane mbron qëndrimin se politika dhe interesat e bashkëpunimit ekonomik këtu duhen parë ndaras. Aq më tepër kur te gazjellësi, që ndodhet pak para përfundimit, kanë investuar tashmë miliarda dollarë shumë firma private evropiane. Gazsjellësi shihet i nevojshëm për të garantuar furnizimin me energji të Gjermanisë. Së fundi, landi federal i Mecklenburg-Vorpomeranisë, ku përfundon gazsjellësi, themeloi një fondacion, që ndër të tjera mund të blejë makineri e pajisje për të përfunduar ndërtimin e gazsjellësit.
Përsa u përket shpenzimeve ushtarake dallimet me amerikanët qëndrojnë kryesisht në ritmin e shtimit të buxhetit ushtarak të Gjermanisë. Gjermania është dakord që ta rrisë në 2 përqind të PBB buxhetin ushtarak, nga 1,6 përqind ose 50 miliardë euro, sa ishte në vitin 2020. Por me ritmet me të cilat po rritet buxheti ushtarak i Gjermanisë, 2 përqindshi nuk pritet të arrihet së afërmi.
Në pikëpamjen ushtarake, temë diskutimi me administratën Biden pritet të jetë edhe tërheqja masive e 11.900 ushtarëve amerikanë të stacionuar në Gjermani (nga 36.000 gjithsej), e vendosur nga Trumpi. Megjithë vendosmërinë e Trumpit për t’i tërhequr sa më shpejt trupat nga Gjermania, ajo ende nuk ka nisur. Ekipi i Presidentit Biden premtoi para zgjedhjeve se do ta rishikonte këtë vendim të administratës Trump./DW
Kadrijaj e AAK-së komenton skandalet me subvencione në Minis...
Osmani e Maqedonci takuan Bauerin, flasin për përkushtimin e...
I pandalshëm Edon Zhegrova – ylli kosovar gjen golin në sfid...
Banorët e Bazelit miratojnë fondet publike për Eurovision
Bajrami: Të gjithë ata që mbrojnë të korruptuarit, janë të k...
Anisa: Xheneta nuk ka pasë pëlqim të vërtetë ndaj Gjestit, p...