Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha sot se Rusia po kryente një luftë informacioni që synon të nxisë përçarje në Gjermani. Ky ishte reagimi i tij i parë rreth publikimit në Rusi të një regjistrimi zanor të një takimi të zyrtarëve të lartë ushtarakë gjermanë.
“Incidenti është shumë më tepër se interceptim dhe publikim i një bisede… Është pjesë e një lufte informacioni që po bën Putini”, tha ministri Pistorius. “Është një sulm dezinformimi. Synon të dëmtojë unitetin tonë. Për rrjedhojë, duhet të reagojmë ndaj tij me kujdes të veçantë, por jo me më pak vendosmëri”.
Ministri gjerman shtoi se askush nuk beson se kjo ishte thjesht një koincidencë në javën pas shërbimit funeral për udhëheqës opozitar rus Alexei Navalny.
Të shtunën, Gjermania njoftoi se ka filluar hetimet për atë që dyshohet se është përgjim i një bisede telefonike, pasi Moska tha se regjistrimi i një oficeri gjerman tregonte se ai po bisedonte rreth armatimeve për Ukrainën dhe sulmeve të mundshme nga Kievi në një urë në Krime.
Po dje, duke folur gjatë një vizite në Romë, Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se ” çështja po shqyrtohej me shumë kujdes”.
Regjistrimi u posta në rrjetin social Telegram nga Margarita Simonyan, një gazetare e televizionit shtetëror rus dhe drejtuese e kanalit “Russia Today”.
Agjencia e lajmeve Reuters dëgjoi regjistrimin 38-minutësh, por nuk mundi të konfirmonte në mënyrë të pavarur vërtetësinë e tij.
Në bisedë, personat e përfshirë diskutojnë dërgimin e mundshëm të raketave Taurus në Kiev, një pretendim që kancelari Scholz deri më tani nuk e ka pranuar. Ata gjithashtu flasin për stërvitjen e ushtarëve ukrainas dhe objektivat e mundshme ushtarake./voa
Vriten 5 gazetarë palestinezë në Gaza, po transmetonin live ...
U thirr sot në SPAK, Veliaj: Kurth i sajuar, jam denoncuar n...
Nottingham Foresti e mposht Tottenhamin, ngritët përkohësish...
Hovenier në takim lamtumirës me Kurtin: Me bashkëpunimin më ...
Fulham i jashtëzakonisht, merr fitore në frymën e fundit nda...
Maqedonci: Nga 16 dhjetori ka filluar punën stafi i kuzhinie...