BE “zyrtarisht miraton” prolongimin e afatit të Brexit-it

08:19 | 30 Tetor 2019
Arbresh Info

“BE27 ka miratuar zyrtarisht prolongimin. Kjo mund të jetë e fundit”, theksoi Tusk, duke sinjalizuar se nuk mund të ketë prolongim tjetër

Presidenti i Këshilli Evropian, Donald Tusk, ka njoftuar se Bashkimi Evropian (BE) ka miratuar zyrtarisht një prolongim “fleksibël” të afatit të Brexit-it deri më 31 janar të vitit 2020.

“BE27 ka miratuar zyrtarisht prolongimin. Kjo mund të jetë e fundit”, theksoi Tusk në twitter, duke sinjalizuar se nuk mund të ketë prolongim tjetër.

Tusk po ashtu i bëri thirrje Britanisë që ta “shfrytëzojë sa më mirë këtë herë”.

Për prolongimin ranë dakord në fillim të kësaj jave 27 anëtarët e unionit.

Më herët ishte vendosur që Mbretëria e Bashkuar të largohet nga BE-ja më 31 tetor, por prolongimi i ri i dhënë nga blloku parasheh afatin e largimit deri më 31 janar të vitit 2020.

Prolongim “fleksibël” nënkupton se Britania mund të largohet nga BE-ja më herët nga data e caktuar nëse ratifikon marrëveshjen e rishqyrtuar të kryeministrit britanik, Boris Johnson, në një datë më të hershme se afati i 31 janarit.

Kryeministri Boris Johnson, i cili këmbëngulte që Mbretëria e Bashkuar të largohet nga BE-ja më 31 tetor, duhej të kërkonte prolongimin e afatit pasi javën e kaluar dështoi të sigurojë mbështetje në një votim që do të përcillte në mënyrë të shpejtë legjislacionin e marrëveshjes së tij.

Të martën është planifikuar që Dhoma e Përfaqësuesve të votojë rreth një projekt-ligji që do të mundësojë zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në fillim të dhjetorit.

Mbretëria e Bashkuar në një referendum në vitin 2016 vendosi të largohet nga BE-ja./AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme