Google ADS

BE zotohet se do të qëndrojë në marrëveshjen bërthamore

12:44 | 19 Maj 2018
Arbresh.info

Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë i përkushtuar për marrëveshjen bërthamore me Iranin, përderisa Teherani vazhdon ta respektojë paktin e vitit 2015, që i lehtëson sanksionet, në këmbim të frenimit të programit bërthamor.
“Ne u kemi dërguar mesazh miqve tanë iranianë se derisa ata vazhdojnë ta respektojnë marrëveshjen, evropianët do të përmbushin zotimet e tyre. Ata kanë thënë të njëjtën gjë”, ka thënë Komisioneri evropian për Energji, Miguel Arias Canete, pasi është takuar në Teheran me shefin për energji bërthamore të Iranit.

“Ne do të vazhdojmë tregtinë tonë, që ka qenë shumë pozitive për ekonominë iraniane”, ka thënë Canete, gjatë konferencës së përbashkët për media me zëvendëspresidentin iranian, Ali Akbar Salehi, që mbikëqyrë aktivitetet bërthamore të Teheranit.

Komentet e Canete vijnë një ditë pasi Komisioni Evropian propozoi masa për të ndihmuar bizneset e BE-së, që të shmangin sanksionet e SHBA-së ndaj Iranit.

Në kundërshtim direkt me ndalesën e vendosur nga SHBA-ja që të mos bëhet biznes me sektorin e naftës së Iranit, Komisioni Evropian ka propozuar që të lejojë shtetet anëtare të BE-së të bëjnë pagesa për naftën iraniane. Këto pagesa do të bëhen direkt në Bankën Qendrore iraniane, me qëllim që të shmangen dënimet e SHBA-së.

Këto masa pritet të lejojnë kompanitë amerikane që të shmangin përdorimin e dollarit amerikan dhe sistemin financiar të SHBA-së për të blerë naftë nga Teherani. Kështu, kompanitë do të shmangin sanksionet amerikane, që në të kaluarën kanë vështirësuar shitjen e naftës amerikane.

Komisioni ka thënë se ka ndërmarrë këto masa pasi ka marrë “dritën e gjelbër” nga liderët e BE-së gjatë samitit në Sofje të Bullgarisë më 17 maj, njofton rel.

Ndërkaq, zëvendëspresidenti iranian, Salehi, gjatë konferencës me komisionerin evropian Canete, është zotuar se shteti i tij do të shpëtojë marrëveshjen bërthamore, pavarësisht tërheqjes së SHBA-së nga pakti dhe rivendosjen e sanksioneve.

“Shpresojmë që përpjekjet tona të jetësohen”, ka thënë Salehi, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara se “nuk janë shtet i besueshëm në marrëveshjet ndërkombëtare”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme