Ndërsa shkallëzohen tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, Evropa po u bën thirrje të dyja palëve të shmangin përshkallëzimin.
Bashkimi Evropian po përpiqet ta shpëtojë marrëveshjen bërthamore që u arrit me Teheranin në vitin 2015, mes tensionit në rritje pas tërheqjes së Uashigtonit prej saj. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell nga Londra, Evropa druhet se Irani mund të ndjehet i kërcënuar dhe se reagimi i tij mund të ketë pasoja të rënda për rajonin.
Avionë luftarakë u ngritën nga aeroplanmbajtësja amerikane USS Abraham Lincoln në Mesdhe këtë muaj, për në Lindjen e Mesme.
Përveç tyre, bombardues të rëndë B-52 kanë arritur në bazën amerikane të Katarit, për t’i bërë ballë atyre, që administrata amerikane i quan “shenja të qarta” kërcënimi nga Irani për forcat amerikane.
“Pyetja shtrohet: si do të reagojë Irani? Si do t’u tregojnë ata Shteteve të Bashkuara se nëse vazhdon presioni, ata do të kundërpërgjigjen? Dhe nëse I bëjnë llogaritë gabim, ekziston rreziku i përshkallëzimit”, thotë Jack Watling i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara.
Evropa beson se ky rrezik është shumë i lartë dhe këtë ia bëri të qartë Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo të hënën në Bruksel.
“Këto janë momente jetike, delicate, ku qëndrimi më i përgjegjshëm do të ishte një vetëpërmbajtje maksimale dhe shmangia e çdo shkallëzimi ushtarak”, tha Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin, vitin e kaluar.Deri tani, Evropa e ka nxitur Teheranin që ta respektojë paktin dhe të presë sa të mbarojë mandati i Presidentit Trump, thotë analisti Watling.
“Javën e fundit kemi parë që administrata amerikane po ushtron shumë presion ndaj shanseve të kësaj politike. Dhe duke i detyruar iranianët të tërhiqen nga një element jetik i marrëveshjes, duket se kësaj politike evropiane po i bëhet epamundur të vazhdojë në këtë drejtim. Prandaj Evropës do t’i duhet të vendosë”, thotë zoti Watling.
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara vazhdojnë masat ekonomike. India ishte një nga importueset kryesore të naftës iraniane, por i ndaloi blerjet këtë muaj pas shtimit të sanksioneve amerikane. Në një vizitë në Delhi të martën, Ministri i Jashtëm iranian bëri një paralajmërim.
“Për fat të keq, Shtetet e Bashkuara e kanë përshkallëzuar gjendjen pa qenë e nevojshme. Ne nuk kërkojmë shkallëzim, por gjithmonë jemi vetëmbrojtur”, tha Mohammad Javad Zarif.
Zoti Watling thotë se çdo konflikt me Iranin do të përhapej me shpejtësi në rajon.
“Do të shndërrohej në thelb në një betejë të ashpër rajonale. Që do të thotë aktivizim të shumë sistemeve që mund të kenë zhvilluar në Liban, në Irak, si edhe ndërmarrjen e goditjeve balistike”.
Frika e një konflikti të tillë e ka tronditur Evropën, e kapur mes kërkesave të aleatit të saj, Shteteve të Bashkuara për të hequr dorë nga marrëveshja bërthamore dhe paralajmërimeve të Teheranit se një lëvizje e tillë do të çonte në rifillimin e programit bërthamor./VoA/
Drenusha plas në vaj, përmend traumat e djalit për shkak të ...
Hovenier uron Kosovën për fitoren ndaj Lituanisë
Banori i ri mollë sherri mes Xhenetës dhe Gjestit, këngëtari...
Senatori amerikan letër Blinkenit: ShBA t’i mbajë sytë nga K...
Raportohet se Putin ka ftuar Vuçiqin për vizitë në Moskë
Katër ushqime mund të ulin kolesterolin e lartë, pohon një n...