Krerët e shteteve të Bashkimit Evropian zhvillon sot një takim urgjent mbi konfliktin midis forcave izraelite dhe militantëve palestinezë në Gazë, pas sulmit të Hamasit që vrau të paktën 1,400 izraelitë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, rreth 2,750 civilë palestinezë janë vrarë ndërsa numri në rritje i vdekjeve ka nxjerë në pah ndarjet brenda bllokut evropian.
Në Evropë po rriten shqetësimet se konflikti midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Gazë do të ndihet përtej Lindjes së Mesme. Bashkimi Evropian po mban një konferencë urgjente të krerëve të shteteve.
“Konflikti mund të përkeqësojë tensionet mes komuniteteve dhe ushqejë ekstremizmin. Ekziston gjithashtu një rrezik i madh i migrimit dhe lëvizjeve të një numri të madh njerëzish në vendet fqinje”, thotë Charles Michel, President i Këshillit të BE-së.
Kombet evropiane i dhanë Izraelit mbështetje të plotë në ditët e para pas sulmit të Hamasit. Kritikët megjithatë thonë se ka pasur mesazhe të përziera nga udhëheqësit e BE-së ndërsa shtohen sulmet izraelite në Gazë.
Ndërsa vizitonte lagjen Kfar Aza të premten në pjesën jugore të Izraelit, ku Hamasi vrau dhjetëra civilë, presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen ofroi mbështetje të qartë.
“Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Në fakt, ai ka për detyrë të mbrojë popullin e vet”, thotë Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit të BE-së.
Më pas, kryetarja e nënkomisionit të sigurisë dhe mbrojtjes të Parlamentit Evropian, Nathalie Loiseau, u shpreh se von der Leyen “harroi mesazhin e rëndësishëm se Izraeli duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar”.
Ndërkaq, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, javën e kaluar tha se rrethimi i Gazës nga Izraeli “është kundër ligjit ndërkombëtar”.
Qëndrimet politike po bëhen më delikate dhe të llojllojshme, thotë analisti për Lindjen e Mesme, Andreas Krieg.
“Po shohim që disa nga politikëbërësit perëndimorë, që ndonëse thonë se qëndrojnë me Izraelin, po e bëjnë të qartë që duhet të sigurohemi që edhe jetët e civilëve palestinezë të mbrohen”, thotë zoti Krieg.
Kjo pikëpamje mbështetet edhe nga opinioni publik evropian, thotë analisti Andreas Bohm.
“Opinioni evropian solidarizohet me Izraelin, për shkak të natyrës së sulmit. Por, nëse shohim pamjet, të themi, të mijëra, apo dhjetëra mijëra njerëzve të vrarë në Gazë, qëndrimet mund të ndryshojnë”, thotë analisti Andreas Bohm nga Universiteti i St. Galenit në Zvicër.
Analisti Andreas Krieg megjithatë thotë se Izraeli nuk ka gjasa të ndryshojë mënyrën e të vepruarit.
“Unë mendoj se izraelitët do të jenë në gjendje ta përballojnë situatën, kritikat dhe gjithashtu ndikimin e politikanëve perëndimorë, sepse ata po thonë: ‘Kjo është lufta jonë. Shikoni mizoritë e kryera nga Hamasi dhe ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të zhdukur Hamasin”, thotë analisti Andreas Krieg.
Komisioni Evropian ka njoftuar një trefishim të ndihmës humanitare për Gazën, duke ndarë 79 milionë dollarë. Ndërsa Izraeli e mban të bllokuar territorin e kontrolluar nga militantët e Hamasit, nuk është e qartë se si dhe kur ndihma mund të arrijë tek banorët në nevojë./voa
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...