Bashkimi Evropian ka dënuar veprimet e Kuvendit të Republikës Sërpska – entitet në Bosnje e Hercegovinë – të cilat sipas tij çojnë drejt krijimit të një këshilli të ndarë gjyqësor dhe prokurorial.
Sipas BE-së ky veprim “paraqet një shkelje të papranueshme të rendit kushtetues dhe atij ligjor të Bosnje-Hercegovinës”.
“Nëse ky ligj miratohet, ai do të ketë pasoja të rënda për të drejtat e qytetarëve të Republika Sërpska, do të thellojë pasigurinë ligjore dhe jostabilitetin në sistemin ligjor të vendit, dhe do të dëmtojë seriozisht perspektivën evropiane të Bosnje-Hercegovinës”, është thënë në komunikatën e lëshuar nga blloku evropian.
Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.
Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.
Vendi qeveriset dhe administrohet sipas linjave etnike, të përcaktuara nga Marrëveshja, dhe ka një qeveri qendrore, e cila shpesh është jofunksionale.
Projektligji për krijimin e këtij këshilli në Republikën Sërpska, që ligjvënësit e mbështetën në seancën e së enjtes, është antikushtetues sepse transferon kompetencat nga niveli shtetëror i Bosnje-Hercegovinës në nivel të entitetit të Republika Sërpska.
Një vendim të tillë, pra për kalimin e kompetencave nga niveli i shtetit te një nivel më i ulët i qeverisjes, mund ta marrë vetëm Parlamenti i Bosnje-Hercegovinës.
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje liderëve në Bosnje- Hercegovinës, në veçanti atyre në Republikën Sërpska, që të ndalin hapat që rrisin tensionet dhe të sigurojnë rifillimin e një dialogu serioz brenda institucioneve të shtetit, në mënyrë që të adresohen shqetësimet që kanë.
BE kërkon që liderët të fokusohen nga reformat që do të siguronin tejkalimin e krizës dhe përmbushjen e kritereve të BE-së për statusin e kandidatit.
Bashkimi Evropian kësaj radhe ka paralajmëruar edhe masa që mund të ndërmarrë kundër atyre të cilët rrezikojnë unitetin e vendit dhe funksionimin e institucioneve.
“Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri e ka vendosur situatën në Bosnje-Hercegovinë dhe veprimet që dëmtojnë unitetin e vendit, në agjendën e takimit të ardhshëm të Këshillit të Punëve të Jashtme”, është thënë mes tjerash në deklaratën e BE-së.
Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin vendosur sanksione ndaj liderit të serbëve në Bosnje-Hercegovinë, Millorad Dodik edhe në BE ishin paraqitur ide që Bashkimi Evropian të ndjekte të njëjtën rrugë.
Këtë ide e kishte paraqitur edhe Gjermania. Por në BE nuk ka pasur pajtim nga të gjitha vendet anëtare për një gjë të tillë, sepse ato duan t’i japin mundësi dialogut.
Megjithatë tani rritet presioni që edhe Bashkimi Evropian të marr masa ndaj atyre që i sheh si përgjegjës për rrezikimin e unitetit dhe sovranitetit të Bosnje-Hercegovinës.
Millorad Dodik edhe në të kaluarën ka kërcënuar me shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnje e Hercegovina./REL/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...