Komisioni Evropian nisi një hetim mbi procedurat kineze të prokurimit publik në tregun e pajisjeve mjekësore të mërkurën, zhvillimi më i fundit në një seri lëvizjesh, që rrisin tensionet tregtare përpara vizitës së Presidentit Xi Jinping në Evropë muajin e ardhshëm.
Hetimi – të cilin Pekini e kritikoi menjëherë – ka për qëllim të përcaktojë nëse furnizuesve evropianë të pajisjeve, që variojnë nga gjilpërat, tek pajisjet ortopedike e deri tek skanerët kompleksë, u është dhënë qasje e drejtë në Kinë.
Nëse hetimi del në përfundimin se kjo gjë nuk ka ndodhur, kjo mund të çojë në vendosjen e kufizimeve nga blloku, ndaj kompanive kineze të pajisjeve mjekësore, që konkurrojnë në tenderat publikë në vendet e BE-së. Kufizimet do të nisnin nga renditja e ulët e kompanive kineze në garë, tek përjashtim i plotë nga tenderat.
Ky është hetimi i parë që kryhet bazuar në atë që njihet si Instrumenti Ndërkombëtar i Prokurimit i Bashkimit Evropian, i cili synon të mbështesë reciprocitetin në qasjen në tregjet ndërkombëtare të prokurimeve publike, pas ankesave të bëra prej kohësh nga kompanitë dhe qeveritë evropiane, për probleme me qasjen në tregun kinez.
Ky hetim pason nisjen në tetor të një hetimi të madh, për automjetet elektrike kineze që shiten shumë lirë në treg, si një tregues force i Brukselit ndaj Pekinit.
Zhvillimet vijnë një ditë pasi zyrat në Holandë e Poloni, të një kompanie kineze pajisjesh sigurie, u bastis nga struktura të Komisionit Evropian.
BE-ja po shqyrton gjithashtu subvencionet e marra nga furnizuesit kinezë të turbinave me erë dhe energjisë diellore, që synojnë tregun evropian.
Kancelari gjerman Olaf Scholz loboi për qasje më të mirë në treg për firmat gjermane në Kinë, në bisedimet me presidentin Xi këtë muaj.
Por Pekini mendon ndryshe.
“BE-ja është mburrur gjithmonë se është tregu më i hapur në botë, por sigurisht ajo që bota sheh është se BE-ja po shkon hap pas hapi drejt proteksionizmit“, u tha gazetarëve zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin.
BE-ja duhet të “ndalë përdorimin e të gjitha llojeve të justifikimeve për të shtypur dhe kufizuar ndërmarrjet kineze, pa asnjë arsye”, tha ai.
Qasja e Uashingtonit
Qëndrimi më i fortë i Bashkimit Evropian përputhet me qasjen e vendosur të Uashingtonit.
Në fillim të këtij muaji Sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen paralajmëroi Kinën se Uashingtoni nuk do të pranonte që industritë e reja të “shkatërrohen” nga importet kineze.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti në Shangai të mërkurën me në krye të axhendës çështjet e tregtisë.
Gazeta zyrtare e BE-së renditi një sërë informacionesh rreth mënyrave që Komisioni dyshon se po përdoren nga Kina për të favorizuar në mënyrë të padrejtë kompanitë kineze për pajisje mjekësore, përfshirë politikën “Blej produkte kineze”, apo kufizime në importe dhe kushte që çojnë në oferta jonormale të ulëta, që kompanitë e orientuara drejt fitimit, nuk mund t’i ofrojnë.
“Vlerësimi paraprak i Komisionit është se masat dhe praktikat e mësipërme rezultojnë në një dëmtim de-juro dhe de-facto serioz dhe të përsëritur të operatorëve ekonomikë evropianë”, shkruante gazeta zyrtare e BE-së.
Komisioni e ka ftuar Kinën të paraqesë pikëpamjet e saj dhe gjithashtu të zhvillojë konsultime me Komisionin për të eliminuar ose korrigjuar praktikat e dyshuara, shkruhej në gazetë.
Hetimi do të përfundojë brenda nëntë muajsh, megjithëse Komisioni mund ta zgjasë këtë periudhë edhe me pesë muaj të tjerë./VOA
Osmani bashkë me Hovenierin dhe ushtarët në kampin Bondsteel...
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...
Kumbaro nderon kontributin e gjithë krahinës së Gjirokastrës...
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...