BE kushtëzon raportet me Trump, Kallas: Nëse do mbështetje, të ndihmojë Ukrainën

16:32 | 13 Nëntor 2024
K.B

E emëruara për postin e kryediplomates evropiane, Kaja Kallas ka deklaruar se BE duhet të vijojë mbështetjen e Ukrainës për sa kohë të duhet dhe të bindë Shtetet e Bashkuara se interesat e saj strategjike janë të lidhura me përfundimin e konfliktit.

Ish-kryeministrja e Estonisë e tha këtë në një seancë raportimi mbi motivet përse duhet të caktohet shefe e Politikës së Jashtme të BE-së.

Komentet e saj vijnë pas pyetjeve që vazhdojnë të ngrihen pas rizgjedhjes së Donald Trump.

“Ne do të kërkojmë lidhje dhe takime me presidentin e zgjedhur dhe administratën e tij për të hartuar politika të përbashkëta, pasi aktualisht ne jemi aleanca më e fortë në botë dhe duhet të vazhdojmë lidhjen tonë. Nëse Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për atë që ndodh në detin e Kinës së Jugut, atëherë duhet të shqetësohen edhe mbi mënyrën se si ne do të reagojmë ndaj agresionit rus. Pra, është edhe në interesin e tyre ta bëjnë këtë”, tha Kallas.

Kallas pritet të marrë postin e lartë nga spanjolli Josep Borrell në një kohë kur po rriten shqetësimet nëse Brukseli do të vijojë të marrë mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën.

Kina akuzohet se i jep Rusisë “mbështetje të fortë” për të përforcuar makinerinë e saj luftarake. Vetë Pekini i ka mohuar vazhdimisht akuzat se po furnizon Moskën me armë.

Ndërkohë, Donald Trump është zotuar se do t’i japë fund konfliktit sapo të marrë detyrën, por plani i tij është ende i paqartë./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme