BE kritikon misionin e Orbanit për paqe në Ukrainë

23:48 | 16 Korrik 2024
R J

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian kritikoi kryeministrin hungarez, Viktor Orban, të martën pasi ai nisi një “mision paqeje” në Ukrainë që do të përfshinte bisedime ish-presidentin Trump dhe udhëheqësit e Rusisë dhe Kinës pa mbështetjen e BE-së. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel hodhi poshtë gjithashtu pohimin e Orbanit se Bashkimi Evropian ka ndjekur një politikë “pro-luftës” në Ukrainë.

Orbani u tha udhëheqësve të 27 vendeve anëtare të BE-së përmes një letre se Trump-i, kandidati i republikanëve për president në Shtetet e Bashkuara, është i gatshëm të veprojë “menjëherë” si ndërmjetës në bisedime paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, nëse ai zgjidhet në nëntor.

Shumë zyrtarë evropianë druhen se Trump mund të pakësojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kievin dhe të nxisë Ukrainën të angazhohet në bisedime paqeje, që do t’i jepnin Moskës një pjesë të konsiderueshme të Ukrainës dhe do të inkurajonin presidentin rus, Vladimir Putin, të ndërmerrte misione të tjera ushtarake.

Hungaria, e cila ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë, pas fillimit të sulmit të saj në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022, mori presidencën e radhës gjashtëmujore të BE-së në fillim të këtij muaji.

Por në një përgjigje ndaj letrës së Orbanit, Charles Michel, kryetar i Këshillit Evropian, i tha kryeministrit hungarez se ai nuk kishte mandatin e BE-së për bisedime mbi luftën në Ukrainë.

“Presidenca e radhës e BE-së nuk ka asnjë rol në përfaqësimin e Bashkimit Evropian në skenën ndërkombëtare dhe nuk ka marrë asnjë mandat nga Këshilli Evropian për t’u angazhuar në çështjet ndërkombëtare në emër të Bashkimit Evropian”, thuhet në një letër që zoti Michel i ka dërguar zotit Orban. Letra është parë nga gazetarët e agjencisë së lajmeve nga Reuters.

Ish kryeministri belg Michel hodhi poshtë gjithashtu pohimin e zotit Orban se Bashkimi Evropian ka ndjekur një politikë “pro-luftës” në Ukrainë.

“Është krejt e kundërta”, thuhet në letrën e zotit Michel për këtë çështje. “Rusia është agresori dhe Ukraina është viktima që po ushtron të drejtën e saj legjitime për vetëmbrojtje”.

Udhëheqësi nacionalist Orban, një mbështetës i kahershëm i Trump-it, pasoi një udhëtim në Kiev me vizita të papritura në Moskë dhe Pekin përpara se të merrte pjesë në takimin e NATO-s në Uashington javën e kaluar dhe të mbante një takim me Trump-in në Florida.

Udhëheqësi hungarez tha se një fitore e ish-presidentit Trump do të ndryshonte barrën e SHBA-së dhe BE-së kur bëhet fjalë për mbështetjen financiare për Ukrainën, në dëm të evropianëve.

“Strategjia jonë evropiane në emër të unitetit transatlantik, ka kopjuar politikën pro-luftës të Shteteve të Bashkuara. Nuk kemi pasur një strategji sovrane dhe të pavarur evropiane apo plan veprimi politik deri më tani”, shkroi ai duke propozuar që “të diskutohet nëse vazhdimi i kësaj politike është racionale në të ardhmen”.

Kryeministri Orban sugjeroi “rihapjen e linjave të drejtpërdrejta të komunikimit diplomatik me Rusinë”, duke mbajtur kontakte të nivelit të lartë me Kievin si dhe zhvillimin e bisedimeve me Kinën, “për modalitetet e konferencës së ardhshme të paqes”.

Veprimet e Orbanit kanë shkaktuar reagime të ashpra në mesin e shumë qeverive dhe zyrtarëve të vendeve të BE-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme