Kur qindra mijëra refugjatë erdhën në BE në vitin 2015, politikanët e vendeve anëtare e ndienë veten të detyruar të reagonin shpejt dhe me efikasitet. Ata u mblodhën në kryeqytetin maltez, Valeta, bashkë me kryetarët e shteteve të shumë vendeve afrikane dhe morrën vendim të furnizonin një fond me para. Këto para nuk kishin si synim të ndihmonin mijëra njerëzit që sapo kishin ardhur në Bashkimin Europian. Paratë e dhëna për të ashtuquajturin Fond garant për ndihmat emergjente të BE, shkurt EUTF, kishin si synim „të vinin nën kontroll shkaqet e krijimit të migracionit të parregullt”, në mënyrë që rrugën për Europë, rrugë shpesh e rrezikshme, ta marrin sa më pak afrikanë.
A është arritur ky synim pas gjashtë vjetësh dhe me pesë miliardë eurot? Së bashku me mediat partnere nga Rrjeti Europian i gazetarisë së të dhënave, Europäischen Datenjournalismus Netzwerk, shkurt EDJNet, Deutsche Welle ka bërë këtë bilanc:
Deri në dhjetor të 2021, kur morri fund faza e aprovimit, janë inicuar më shumë se 250 projekte. Shumë prej tyre janë ende të papërfunduara, sasia më e madhe e parave të EUTF, u dha në verë të vitit 2020.
Fondi EUTF kishte disa synime të cilat u prezantuan në dokumentet e para si të barazvlefshme: luftimin e migracionit të parregullt, luftimin dhe reduktimin e trafikut dhe tregtimit të njerëzve, mbrojtjen e migrantëve, bashkëpunim në kthimin dhe riinterimin e migrantëve, si dhe zhvillimin e mundësive për migracionin legal.
Pamje simbolike e samitit të Unionit Afrikan dhe BE në shkurt
Fokusi në frenimin e migracionit
Paratë e fondit nuk u shpërndanë në mënyrë të barabartë, sipas këtyre synimeve. Megjithëse në një dokument lidhur me gjendjen të shkurtit 2018, thuhet se “Pjesa më e madhe e burimeve do t`i dedikohet krijimit të vendeve të punës dhe zhvillimit ekonomik,” vetëm 10 përqind e burimeve janë dhënë për këtë qëllim. Synimi për krijimin e vendeve të punës, ndryshoi dy muaj më vonë, në prill 2018, në një takim të kryesisë strategjike të EUTF. Nga protokolli mësohet se kryetari Stefano Manservisi – në atë kohë shef i Drejtorisë së përgjithshme për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zhvillimin në Komisionin e BE-së, deklaroi se mungesa e financimeve e bën të domosdoshme vendosjen e prioriteteve dhe fokusimin e projekteve tek “kthimi dhe riintegrimi”, “manaxhimi i refugjatëve”, “sigurimi i dokumenteve dhe shërbimeve qytetare,” “lufta kundër tregtimit të njerëzve”, “përpjekjet bazë për stabilizimin e Somalisë, Sudanit, Sudanit Jugor dhe zonës së Sahelit, nëse janë vënë në dispozicion burime të mjaftueshme” si dhe “dialogun e migracionit”.
Prandaj nuk është çudi që një e katërta e parave të fondit, pjesa më e madhe e tyre, kanë shkuar për manaxhimin e migracionit. Këtu ka qenë e rëndësishme që pjesa më e madhe e afrikanëve që kanë lënë shtëpitë, vullnetarisht apo me detyrim, të migrojnë në vendet ose rajonet fqinjë. Në vitin 2020 për shembull 80 përqind e migrantëve afrikanë janë larguar nga vendi i tyre, por jo nga kontinenti, thuhet në një dokument të Institutit për studimin e çështjeve të sigurisë.
Megjithëse synimi i deklaruar ishte luftimi i shkaqeve që i detyrojnë afrikanët të marrin rrugë të rrezikshme migracioni, EUTF u morr më shumë me Europën se sa me Afrikën, sepse është më problematike që Austria të marrë 40 mijë migrantë të rregullt, se sa Uganda të marrë 1,3 milionë refugjatë”, thotë Mehari Taddele Maru, profesor në Qendrën për politikat e migracionit dhe ish- koordinator programi për migracionin në Komisionin e Unionit Afrikan.
Disa nga ekspertët me të cilët foli Deutsche Welle, theksuan se fokusi i BE tek migracioni i parregullt, nuk është patjetër aspekti më i rëndësishëm i kësaj teme edhe për politikanët afrikanë. “Një pjesë e madhe e lëvizjeve të migracionit në të kaluarën janë bërë me rrugë legale, sipas historisë së kolonializimit, për shembull nga Nigeria në Britaninë e Madhe, ose nga vendet frankofone në Francë dhe Belgjikë, ose në Lindjen e Afërt, për shkak të afërsisë gjeografike apo ritualeve fetare,” thotë Mehari.
Megjithëse fillimisht mendohej krijimi i rrugëve legale për afrikanët në vendet e BE-së, fondi fokusohet më në fund kryesisht tek migracioni i parregullt. Në vend që të hapte mundësi për viza, fokusi u zhvendos tek manaxhimi i lëvizjeve të azilkërkuesve, refugjatëve dhe njerëzve që nuk kanë dokumente dhe lejet e nevojshme, për të shkuar për të punuar në një vend tjetër.
Më pak afrikanë rrugës për në Europë
Policia kufitare europiane, Frontex ka regjistruar më pak shkelje të parregullta kufiri nga qytetarët afrikanë, që me krijimin e EUTF në vitin 2015, dhe në përgjithësi më pak afrikanë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së.
Zhvillimi i shifrave për kalimet e kufirit dhe kërkesat e azilit nga qytetarët e vendeve që përfitojnë prej fondit EUTF, tregojnë njësoj rënie jo dhe aq të madhe sa shifrat për të gjitha vendet afrikane, pra bashkë me vendet që nuk përfitojnë nga fondi. Kjo tregon se në këtë nivel, fondi EUTF nuk ka pasur ndikim të dukshëm në lëvizjet e migracionit në Bashkimin Europian. Megjithëse gjatë kësaj kohe më pak afrikanë kanë marrë rrugën për në Bashkimin Europian, numri i njerëzve që janë larguar nga shtëpitë është rritur.
Numri i afrikanëve, që janë arratisur ose janë larguar nga vendi dhe janë kthyer në refugjatë brenda vendit ose refugjatë në vende të tjera të Afrikës, është dyfishuar nga viti 2015 deri më 2020. Këtë e tregojnë shifrat e Komisionit të Lartë për Refugjatë (UNHCR).
“Arsyet personale të njerëzve për të migruar dallojnë nga njëera-tjetra, po ashtu si motivacionet e tyre,” thotë Ottilia Anna Maunganidze, e cila është specializuar për ligjet ndërkombëtare dhe migracionin në Institutin për studimet e sigurisë në politikën e sigurisë dhe ka shkruar në vitin 2021 një artikull për temën e Migracionit nga Afrika në Europë.
Samiti Afrikë-BE, shkurt 2022
“Paratë e dedikuara për këtë punë duke marrë parasysh kjo gjë duhet të shkurtohen.” Maunganidze thotë, se EUTF e ka bërë këtë në disa, por jo në të gjitha rastet. Në rajonet ku Bashkimi Europian ka qenë prezent prej kohësh dhe është mbështetur tek ekspertiza lokale, shkurtimi i parave është bërë me sukses.
Në rastin e Nigerisë, thotë Maunganidze, ndërhyrja e EUTF ka ashpërsuar më shumë atë çka duhet të luftonte. „Nigeria është një nga vendet më të varfra të kontinentit afrikan,” thotë ajo. “Është edhe vendi me popullsinë më të re, me moshë mesatare 14 vjeç. Nëse mendohet për të ndërhyrë në Afrikë, atëherë fokusi duhet të vendoset tek zhvillimi i hershëm i fëmijëve, arsimi, integrimi dhe ngjizja e shoqërisë. Por qasja tek i gjithë rajoni i Sahelit ka pasur kryesisht të bëjë me politikën e jashtme kufitare të BE. Fokusi ka qenë vazhdimisht tek lëvizjet e migracionit dhe jo tek mungesa e shanseve të njerëzve për të qendruar në shtëpi, gjë që i bën ata të largohen. Nëse ndiqet qasja që duhet të zbusë migracionin, atëherë ajo ka ndikim edhe tek ekonomia dhe tregtia lokale, gjë që për fat të keq është me pasojat e padëshiruara të rënies edhe më shumë të shanseve në vend, dhe njerëzit marrin rrugët e rrezikshme dhe kanalet ilegale.”
Njerëzit ende duan të ikin, por në vend që të përdorin rrugët legale, nuk kanë zgjidhje tjetër dhe e kalojnë kufirin kontrabandë.
Maunganidze thotë, se nuk duhen marrë parasysh vetëm përbërjet e ndryshme demografike të vendeve. “Shumë prej problemeve janë të natyrës strukturore dhe sistematike dhe kërkojnë ndërhyrje afatgjatë, për t‘ i luftuar”, thotë ajo. “Prandaj nuk është patjetër realiste që të bëhet fokusimi tek sukseset afatshkurtra. Por nëse bëhet përshtatja e projekteve për zbatimin e tyre, atëherë kjo gjë mund të arrihet mbase në afat të gjatë, por jo me sasinë e parave që ka vënë në dispozicion EUTF.”
Matja direkt në vend e ndikimit të parave të BE
Ka pasur përpjekje për të trajtuar problemet sistematike dhe strukturore. Projekti që ka marrë sasinë më të madhe të financimit, fokusohet për shembull tek „krijimi i shtetit” në Somali. Qeveria morri 170 milionë euro ndihma për të forcuar institucionet e saj dhe për të krijuar shërbimet për qytetarët, me synimin e forcimit të besimit të shteteve të tjera, kredidhënësve të mundshëm dhe popullsisë, tek qeveria.
Sipas faqes së internetit të projektit me paratë e deritanishme „janë ndihmuar direkt ose është ndihmuar zhvillimi i dy strategjive, ligjeve dhe masave që duhen marrë për to”, si dhe „krijimi, vënia në punë ose forcimi i katër „sistemeve për mbledhjen e të dhënave për planifikimin, monitorimin dhe mësimin si dhe analizimin.”
Një shembull tjetër është një projekt 54 milionë eurosh në Sudan, drejtuar nga UN World Food Programme, i cili duhet të sigurojë furnizimin me ushqime dhe sigurimin e ushqimit për 1,1 milionë vetë. Për krahasim. Në vitin 2020 rreth 9,6 milionë sudanezë u rrezikuan nga uria akute, thotë Food Security Information Network.
Ka pasur po ashtu një projekt prej 47,7 milionë eurosh për Etiopinë, për forcimin dhe krijimin e shanceve ekonomike. Me paratë e EUTF duhet të krijohen në këtë vend 11 000 vende pune. Rreth 1,7 milionë etiopianë të moshës 15 vjeçare ose më të madhe, nuk kanë pasur punë të paguar në vitin 2020, thotë ILO, Organizata Ndërkombëtare e punës.
Synime të mira, por inkuadrim i gabuar
Meqenëse EUTF është krijuar si instrument emergjence, për të filluar shpejt dhe në mënyrë fleksible me projektet, ai nuk është parashikuar patjetër si afatgjatë. Shumë nga ekspertët i thanë Deutsche Welle-s se detyra e luftimit të shkaqeve të migracionit nuk mund të kryhet me një instrument që krijohet për të luftuar problemet afatshkurtra.
“Me qasjen për luftimin e shkaqeve të migracionit, EUTF ka marrë drejtimin e gabuar, sidomos lidhur me idenë se njerëzit do të ndalojnë së migruari, sapo të mënjanohen shkaqet,” thotë Alia Fakhry, studiuese e migracionit në organizatën gjermane për politikë të jashtme, Deutsche Gesellschaft für Auswärtige Politik. “Mënjanimi i shkaqeve është njëra anë, por konfliktet dhe katastrofat natyrore do vazhdojnë t‘ i detyrojnë njerëzit të largohen nga shtëpitë”.
Instrumenti me emrin „Fqinjësi, zhvillim dhe Instrumente të bashkëpunimit ndërkombëtar” (Neighbourhood, Development and International Cooperation Instrument), shkurt NDICI, pasardhëse e EUTF, ka fokus më të gjerë. Dhjetë përqind të buxhetit të tij, rreth tetë miliardë euro, i janë dedikuar migracionit, me një sistem strikt monitorimi. “Por ideja e shkaqeve të migracionit duket sikur nuk ekziston më,” thotë Fakhry. “Mbase ka arritur pika, ku vëmendja kushtuar EUTF dhe kritikat ndaj tij janë duke dhënë rezultate.”
Ky projekt është krijuar në bashkëpunim midis disa anëtarë të rrjetit europian për gazetarinë e të dhënave, European Data Journalism Network. DW ka drejtuar projektin, Voxeurop, Openpolis dhe OBCT kanë qenë redaksi partnere.
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...
Ftohtë dhe reshje borë, parashikimi i motit për pesë ditët e...