Evropa është “e përgatitur mirë”, falë kapaciteteve të magazinimit dhe masave për ruajtjen e energjisë, nëse Rusia vendos të ndërpresë plotësisht furnizimin me gaz, tha një udhëheqës i lartë i BE-së të shtunën mes të një beteje energjetike të intensifikuar midis Rusisë dhe Perëndimit për shkak të luftës në Ukrainë.
“Ne jemi të përgatitur mirë për t’i rezistuar përdorimit në nivel ekstrem si armë të gazit nga Rusia”, u tha gazetarëve Komisioneri i BE-së për ekonominë, Paolo Gentiloni gjatë një forumi ekonomik në Itali. “Ne nuk kemi frikë nga vendimet e presidentit rus Vladimir Putin, ne po kërkojmë nga rusët të respektojnë kontratat, por nëse ata nuk e bëjnë këtë, ne jemi të gatshëm të reagojmë.”
Komentet e zotit Gentiloni pasojnë vendimin e Moskës të premten për të shtyrë rihapjen e tubacionit të saj kryesor të gazit që e lidh Rusinë me Gjermaninë. Rusia, përmes këtij vendimit, po reagon ndaj marrëveshjes së grupit të shtatë vendeve më të industrializuara të botës për të kufizuar çmimin e eksporteve të naftës ruse me synim për të pakësuar fitimet e Moskës.
Zoti Gentiloni tha se qendrat e magazinimit të gazit në Bashkimin Evropian “aktualisht janë të mbushura në një nivel rreth 80%, falë politikave të zgjerimit të burimeve energjetike “, megjithëse situata dallon nga vendi në vend.
Gjigandi rus i energjisë Gazprom tha se nuk mund të rifillonte furnizimin me gaz natyror në Gjermani, vetëm disa orë para se të rifillonte furnizimet përmes gazsjellësit Nord Stream 1. Rusia tha se arsyeja e ndërprerjes ishte një defekt teknik në tubacion, i cili ka të ngjarë të përkeqësojë krizën energjetike në Evropë.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian Eric Mamer shkruante të premten në Twitter se vendimi i kompanisë Gazprom për të mbyllur gazsjellësin ishte i bazuar në “supozime të pavërteta”.
Prodhuesi i turbinave, Siemens Energy tha të premten se nuk kishte asnjë arsye teknike për të ndalur transportin e gazit natyror.
Moska ka fajësuar sanksionet perëndimore të vendosura pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës për pengim të përpjekjeve për të mirëmbajtur tubacionin e gazit. Evropa akuzon Rusinë se po përdor furnizimin me gaz si një metodë hakmarrjeje ndaj sanksioneve evropiane.
Të premten, ministrat e financave të vendeve të grupit G-7 thanë se do të punonin me shpejtësi për t’i vendosur një tavan çmimit të eksporteve ruse të naftës. Ministrat e financave nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara thanë se kjo gjë do të “bazohet në një sërë të dhënash teknike”.
“Ky kufi i çmimit për eksportet ruse të naftës synon reduktimin e të ardhurave të Putinit, duke mbyllur një burim të rëndësishëm financimi për agresionin (në Ukrainë)”, tha ministri gjerman i financave, Christian Lindner.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përshëndeti vendimin e ministrave të financave të vendeve të grupit G-7.
“Kur ky mekanizëm të zbatohet, ai do të bëhet një element i rëndësishëm i mbrojtjes së vendeve të civilizuara dhe tregjeve të energjisë nga agresioni hibrid rus”, tha të premten presidenti Zelenskyy.
Përplasja lidhur me furnizimin me energji ndodh në një kohë kur forcat ruse dhe ukrainase po sulmojnë njëra-tjetrën pranë termocentralit bërthamor të Zaporizhzhias, ku inspektorët e OKB-së po përpiqen të shmangin një katastrofë të mundshme bërthamore./VoA/
Britania sanksionon 5 zyrtarë gjeorgjianë për shtypjen e pro...
Ancelotti thotë se nuk e kishte menduar rikthimin tek Reali,...
Arrestohet 40 vjeçari në veri, policia i gjen rreth 100 kart...
Haradinaj për Hovenierin: Ishte më shumë se ambasador
Kurti dhe Rizvanolli vizitojnë ndërmarrjen KRU “Prisht...
Driloni ndan shtratin me Gjestin, Xheneta: Nuk e di qysh ka ...