BE-ja t’i kërkojë Kinës në samitin virtual që të mos i japë armë Putinit

23:22 | 31 Mars 2022
Trina Galanxhi

BE-ja do t’i kërkojë Kinës që të mos i ofrojë armë Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës, as t’i japë Presidentit Putin lehtësim nga sanksionet perëndimore.

Presidenti i Kinës Xi Jinping – i cili ka refuzuar të dënojë sulmin e Moskës ndaj fqinjit të saj – do të mbajë një samit virtual tre-orësh me zyrtarë të premten, duke përfshirë Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, transmeton portal arbresh.info

Në fillim të muajit shkurt, Kina dhe Rusia lëshuan një deklaratë të gjatë, të përbashkët duke thënë se marrëdhënia e tyre e mirë “nuk ka kufij”.

Udhëheqësit europianë ishin të shqetësuar nga ajo që ata e panë si një manifest për të ripërcaktuar rendin ndërkombëtar.

Disa javë më vonë pas kësaj deklarate, Putin pushtoi Ukrainën.

Zyrtarët perëndimorë tani besojnë se Moska i ka kërkuar Pekinit ndihmë ushtarake dhe ndihmë tjetër për të zbutur goditjen e sanksioneve.

Burimet e BE-së thonë se von der Leyen do t’i kërkojë presidentit Xi të refuzojë kërkesën ruse dhe në vend të kësaj të përdorë fuqinë e Kinës për t’i dhënë fund luftimeve, duke argumentuar se dëmi në ekonominë globale nuk i sjell dobi askujt.

Por ministri i jashtëm i Kinës e ka lavdëruar Rusinë këtë javë për, sipas tij, parandalimin e një krize humanitare në shkallë të gjerë dhe këmbënguli se marrëdhënia me Moskën po shkonte në drejtimin e duhur.

Zyrtarët e Brukselit nuk presin ndonjë marrëveshje të rëndësishme nga bisedimet virtuale, por shpresojnë se Kina do të ndikojë te Putini për hequr dorë nga përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë, ndërsa lufta e tij vazhdon./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme