BE-ja reagon rreth Gjenocidit të Srebrenicës: Paqja mund të ndërtohet vetëm me drejtësi

14:47 | 10 Korrik 2021
S D

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Fqinjësi, Zgjerim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Ana Pisonero, ka reaguar rreth Gjenocidit të Srebrenicës, duke thënë se paqja mund të ndërtohet vetëm duke u mbështetur në drejtësi.

“Paqja mund të ndërtohet vetëm me drejtësi. Udhëheqësit politikë në Ballkanin Perëndimor duhet të udhëheqin me shembuj duke e njohur atë që ka ndodhur, duke i nderuar viktimat dhe duke e promovuar pajtimin përmes kundërshtimit të rrënjëve të urrejtjes, që çuan në gjenocid”, shkroi Pisonero në postimin e saj në Twitter.

Ajo shkroi në emër të shefit të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe komisionerit të BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, të cilët i etiketoi në postim.

Ditëve të fundit ka pasur reagime të ndryshme nga politikanët e Ballkanit Perëndimor në lidhje me Gjenocidin e Srebrenicës.

Muajin e kaluar, Kuvendi i Malit të Zi e shkarkoi nga detyra ministrin e Drejtësisë në këtë shtet, Vladimir Leposaviq, për shkak të komenteve të tij, me të cilat u mundua të hidhte dyshime për gjenocidin në Srebrenicë.

Kuvendi i Malit të Zi gjithashtu miratoi një rezolutë me të cilën ndalohet mohimi publik i kësaj ngjarjeve.

Reagimi i BE-së vjen vetmë një ditë para shënimit të 26-vjetorit të fillimit të Masakrës së Srebrenicës, e cila nisi më 11 korrik 1995 dhe përfundoi më 22 korrik të atij viti.

Mbi 8.000 burra e djem boshnjakë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës në Srebrenicë dhe përreth saj. Forcat serbe ishin të komanduara nga famëkeqi Ratko Mladiq. Më 2017, ai u dënua me burgim të përjetshëm. Dënimi iu rikonfirmua muajin e kaluar, pasi i dënuari kishte paraqitur ankesë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme