Google ADS

BE-ja paralajmëron sanksione të reja ndaj Rusisë

12:36 | 3 Prill 2022
KRG

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Rusia do të përballet “me sanksione të mëtejme të BE-së” pas raportimeve për krimet e dyshuara të luftës nga forcat serbe në Buça, në periferi të Kievit.

Michel shkroi më 3 prill në Twitter se ishte i “shokuar nga pamjet e tmerrshme të mizorive të kryera nga ushtria ruse në rajonin e çliruar të Kievit”.

Ndërkaq, po të njëjtën ditë organizata Human Rights Watch tha se ka “dokumentuar disa raste ku ushtria ruse ka kryer shkelje të ligjit të luftës kundër civilëve në zonat e okupuara të Çernihivit, Harkivit dhe rajonit të Kievit në Ukrainë”.

Kjo organizatë, tha se më 4 mars, forcat ruse në Buça kishin qëlluar me armë zjarri prapa koke të paktën një person.

Kryetari i Buçës, Anatoly Fedoruk, tha më 2 prill se afër 300 banorë lokalë janë vrarë në kohën kur ky qytet ishte nën okupimin e forcave ruse. Afër 280 dyshohet se janë varrosur në një varrezë masive, ndërkaq trupat e viktimave të tjera janë lënë në rrugët e këtij qyteti.

Pamje të rënda nga ky qytet, ku shihen trupa të banorëve në rrugë, janë shpërndarë në rrjete sociale.

“Këto janë pasojat e pushtimit rus”, citohet të ketë thënë Fedoruk.

Rusia ende nuk është përgjigjur lidhur me këto akuza.

Ndërkaq, më 2 prill, sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss tha se ishte e tronditur “nga mizoritë në Buça dhe në qytete të tjera në Ukrainë” dhe premtoi se keqbërësit do të ndiqen penalisht.

Në postimin e tij në Twitter, Michel tha se Bashkimi Evropian po i ndihmon Ukrainës “në mbledhjen e dëshmive të nevojshme, që më pas t’i dërgojë në gjykatat ndërkombëtare”.

Gjykata Ndërkombëtare Penale më herët ka hapur një hetim mbi krimet e pretenduara të luftës nga forcat ruse në Ukrainë.

Ndërkaq, në raportin e Human Rights Watch thuhet se janë dokumentuar edhe dhunime, dy raste të ekzekutimeve ku ishin përfshirë shtatë viktima, dhe raste të tjera të kërcënimeve dhe dhunës ndaj civilëve./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme