Paketa e katërt e sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e saj “të pamëshirshëm” të Ukrainës, do të vendoset nesër nga Bashkimi Evropian, ka thënë të premten presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Të shtunën, blloku “do të vendosë një paketë të katërt masash për të izoluar më tej Rusinë dhe për të shteruar burimet që përdor për të financuar këtë luftë barbare”, ka thënë von der Leyen.
“Së pari, ne do t’i mohojmë Rusisë statusin e marrëveshjes së përhershme tregtare në tregjet tona. Kjo do të revokojë përfitimet e rëndësishme që Rusia gëzon si anëtare e OBT-së. Kompanitë ruse nuk do të marrin më trajtim të privilegjuar në ekonomitë tona”, u shpreh von der Leyen.
BE-ja “do të punojë gjithashtu për të pezulluar të drejtat e anëtarësimit të Rusisë në institucionet kryesore financiare shumëpalëshe, duke përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Ne do të sigurojmë që Rusia të mos mund të marrë financime, kredi ose ndonjë përfitim tjetër nga këto institucione”.
Blloku gjithashtu do të sigurohet që “shteti rus dhe elitat e tij nuk mund të përdorin asetet e kriptove për të anashkaluar sanksionet” dhe do të ndalojë eksportet në Rusi të mallrave luksoze të BE-së dhe importin e mallrave të hekurit dhe çelikut, shtoi ajo.
Ministrat e financave, drejtësisë dhe punëve të brendshme të G7-s do të takohen javën e ardhshme për të “koordinuar grupin e punës që kemi ngritur për të goditur miqtë e Putinit”, shtoi ajo.