BE-ja kundër një vale migrantësh nga Afganistani

08:53 | 23 Gusht 2021
arbresh.info

Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, tha se Bashkimi Evropian nuk do të lejojë një valë të migrantëve nga Afganistani.

Sllovenia aktualisht mban presidencën 6-mujore të BE-së.

“BE-ja nuk do të hapë asnjë korridor evropian humanitar ose migracioni për Afganistanin. Ne nuk do të lejojmë që të përsëritet gabimi strategjik i 2015-ës”, shkroi Jansha në Twitter më 22 gusht.

Në vitin 2015 më shumë se 1 milion njerëz nga Lindja e Mesme, të cilët iknin nga luftrat dhe varfëria arritën në Bashkimin Evropian.

Kryeministri slloven paralajmëroi masa të fuqizimit të kontrolleve kufitare ndërsa tha se blloku 27-anëtarësh do të pranojë vetëm individë që ndihmuan misionin e NATO -s në Afganistan.

Mijëra afganë po synojnë të largohen nga vendi pasi kontrollin e morën talibanët pas 20-vjetësh të prezencës së forcave të huaja të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Ushtarët e NATO-s përfshirë ata amerikanë filluan tërheqjen me 1 maj të këtij viti.

Talibanët po u bëjnë thirrje njerëzve të qëndrojnë në vend dhe kanë ofruar një amnisti të përgjithshme.

Por, afganët kanë frikë nga hakmarrja e tyre dhe ende i kanë në kujtesë vitet e sundimit taliban 1996-2001 kur të drejtat e njeriut në Afganistan shkileshin në mënyrë brutale.

Talibanët kanë mbyllur pikat kryesore kufitare, por BE -ja është duke u përgatitur për rritjen e presionit migrues që vjen nga Afganistani në planin afatgjatë.

Disa vende të BE-së po bëjnë thirrje që refugjatëve t’u garantohet siguria në vendet fqinje me Afganistanin, para se BE-ja të marrë parasysh pranimin e migrantëve, përveç atyre që kanë punuar me forcat ndërkombëtare dhe disa individëve të rrezikuar.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila largohet nga pozita pas zgjedhjeve federale të 26 shtatorit, javën e kaluar bëri thirrje për veprim të koordinuar të BE -së mbi migracionin./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme