BE-ja ia dërgon Ukrainës 300.000 nga një milion predhat e premtuara

17:03 | 29 Nëntor 2023
E.K

Bashkimi Evropian (BE) ia ka dorëzuar Ukrainës 300.000 nga një milionë predhat e premtuara deri tani, tha ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, të mërkurën në Bruksel, ku po merr pjesë në një takim të NATO-s.

Duke folur për gazetarë në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm të aleancës ushtarake, Kuleba bëri thirrje për bashkëpunim më të madh mes industrive të mbrojtjes së Ukrainës dhe NATO-s për t’u siguruar se Kievi i ka të gjitha furnizimet e nevojshme për ta mposhtur Rusinë, e cila e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.

“Ne duhet ta krijojmë një fushë të përbashkët euro-atlantike të industrive të mbrojtjes”, tha Kuleba, duke shtuar se kjo do të garantonte siguri për Ukrainën dhe për vetë vendet e NATO-s.

Kuleba tha, po ashtu, se e kishte një takim “produktiv” të martën me ministrin e Jashtëm sllovak, Juraj Blanar.

Presidenti i porsazgjedhur i Sllovakisë, Robert Fico, u zotua se do t’i ndalë ndihmat ushtarake për Ukrainën, megjithëse më vonë sqaroi se kjo nuk nënkupton bllokimin blerjen e armëve nga kompanitë private.

Ai përsëriti se… kontratat mes kompanive ukrainase dhe sllovake që prodhojnë armë, do të vazhdojnë”, tha Kuleba.

Në fillim të këtij viti, liderët e BE-së u zotuan se do t’ia dërgonin frontit të Ukrainës një milion copë municion deri në pranverë të vitit 2024. Kjo do të nënkuptonte rritje të jashtëzakonshme të prodhimit.

Por, në fillim të nëntorit, blloku i përbërë nga 27 vende, tha se tani e ka të vështirë ta bëjë një gjë të tillë.

“Shifra një milion nuk do të arrihet, duhet ta hamendësojmë këtë”, tha ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistrius, më 14 nëntor.

Në luftën e Ukrainës me Rusinë, predhat e artilerisë 155mm luajnë rol vendimtar. Harxhimi i 6.000 deri në 7.000 predhave në ditë tregon për rëndësinë strategjike të tyre.

Nëse i merr një milion copa municion të tillë, Ukraina do ta siguronte stabilitetin për të paktën gjashtë muaj, sipas ekspertëve./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme