BE -ja ende nuk e di se çfarë të bëjë me refugjatët nga Afganistani

11:02 | 24 Gusht 2021
Trina Galanxhi

Disa liderë europianë kanë shprehur frikën e tyre për shkak të një fluksi masiv të emigrantëve afganë, ndërsa janë të shqetësuar se kjo do të ndezë zjarrin e lëvizjeve të krahut të djathtë dhe populistëve.

Bashkimi Europian ende nuk ka një plan të unifikuar për refugjatët, pavarësisht reformave të premtuara pas krizës së refugjatëve të vitit 2015, raporton REL në gjuhën angleze, transmeton portal arbresh.info

Sipas Financial Times, që nga dita që talebanët morrën nën kontroll Kabulin, në Europë po është shfaqur shqetësimi për përsëritjen e krizës së refugjatëve që kaploi Europën në vitin 2015 dhe helmoi politikat e saj.

Media thekson se liderët europianë nuk kanë fuqi të përballen me një fluks të madh azilkërkuesish nga Afganistani, pasi para zgjedhje në Francë dhe Gjermani, një fluks emigrantësh mund t’iu “jap krahë” populistëve.

Shumica e anëtarëve të BE -së kanë rënë dakord të pranojnë një numër të vogël afganësh, veçanërisht ata që kanë punuar për ushtritë e tyre, ambasadat ose organizatat humanitare ndërkombëtare, por të gjithë ngurrojnë të marrin në konsideratë një fluks më të madh, veçanërisht Gjermania, e cila ka habitur me vendimin e saj për emigrantët afganë, pasi në vitin 2015 ishte pikërisht ajo që hapi dyert për refugjatët sirianë.

Frika e Gjermanisë për një krizë të re refugjatësh u intensifikua kur Ministri i Brendshëm Horst Seehofer tha se kthimi i talebanëve mund të detyrojë midis 300,000 dhe pesë milionë afganë të largohen.

Mediat botërore janë pushtuar nga fotografitë e mijëra afganëve që po përpiqen të largohen nga vendi, ndërsa politikanët në heshtje janë të tmerruar nga një lëvizje e re masive e azilkërkuesve myslimanë, shkruan media tjetër amerikane NYT.

Me zgjedhjet e ardhshme në Francë dhe në Gjermani, politikanët europianë janë të vendosur të shmangin atë lloj reagimi populist që pasoi krizën e refugjatëve gjashtë vjet më parë.

Megjithatë, ekspertët thonë se krahasimi është i gabuar, pasi mbështetja për partitë anti-emigrante ka rënë që nga ajo kohë, së bashku me numrin e emigrantëve.

Afganët janë duke u përballur me një mungesë dhembshurie në Europë që mund të jetë e pakapërcyeshme, megjithëse NYT thekson se Afganistani mund të jetë një detyrim dhe një përgjegjësi morale për Europën nga luftrat tjera, pasi shumë vende europiane iu bashkuan forcave amerikane pas sulmit të shtatorit.

Aty ku nuk ka konsesus, në shumicën e vendeve europiane, ideja e tyre është të mbajnë refugjatët afganë pranë Afganistanit, shkruan NYT, duke cituar edhe Presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili tha se “Europa nuk mund të marrë përsipër e vetme pasojat e rënies së Afganistanit”./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme