Google ADS

BE-ja do të bëhet me ushtri, komanda në Bruksel

21:59 | 7 Mars 2017
Trina Galanxhi

Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të BE vendosen ngritjen e një qendre komande të bllokut për misionet nëpër botë. Selia e saj do të jetë në Bruksel e do të drejtohet nga 30 persona.

Entuziazmi që ka përfshirë BE përsa i takon bashkëpunimit në këtë fushë argumentohet nga ekspertet me faktin se politika e mbrojtjes është një nga pikat që ndihmon më shumë në afrimin e vendeve anëtare.

Çështja e refugjateve krijoi goxha ndasi, por tek nevoja për garantimin e sigurisë, nuk ka dyshime. Ideja do të materializohet brenda disa javësh si një përpjekje e unionit për të ngritur në nivelin e forcës së tij ekonomike edhe aftësinë e zmbrapsjes së militanteve apo kërcënimeve ruse, si dhe përdorimin e forcave paqeruajtëse për stabilizimin e shteteve problematike në kufijtë e tij.

Struktura e re do të jetë përgjegjëse për misionet stërvitore në Mali, republikën qendrore afrikane dhe Somalinë. Kreut ushtarak drejtues i lejohet qëndrimi në terren në vend që të kthehet rregullisht në Bruksel për raportime. Bashkëpunimi përfshin blerjen tankeve dhe anijeve, e i jep BE-së shansin më të mirë për të zhvilluar kërkimet e për të kursyer para në mënyrë që të kompensojë vite të tëra shkurtimesh buxhetore.

Mjaft ekspertë megjithatë e konsiderojnë si një fillim shumë modest këtë përpjekje për koordinim te forcave, sepse ajo nuk eliminon pesë shtabet ushtarake të shteteve të veçanta të blloku.

Kështu, misioni i Mesdheut “Sofia” për luftën ndaj trafikut të njerëzve do te vazhdoje te komandohet nga Roma. Në Bruksel do të koordinohen vetëm ato misione, ku nuk bëhet fjalë “për gryka armësh që nxjerrin tym”, siç e shpreh një diplomat i BE, pra për misione pa përdorimin e armëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme