Google ADS

BE-ja distancohet përsëri nga Orbani, pas pjesëmarrjes së tij në samitin e vendeve turkfolëse

11:25 | 7 Korrik 2024
E.G

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është qortuar përsëri nga shefi i Bashkimit Evropian (BE) për politikë të jashtme, Josep Borrell, pasi mori pjesë të shtunën në një takim të Organizatës së Vendeve Turkfolëse (OTS) në Azerbajxhan.

Ditë më parë, Brukseli, vendet e BE-së, Shtetet e Bashkuara dhe Kievi e kritikuan Orbanin, pas vizitës së tij në Moskë, ku u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, të premten.

Orbani e takoi Putinin një kohë kur Hungaria mban kryesimin me rotacion gjashtëmujor të presidencës së Këshillit të BE-së.

Zyrtarët e BE-së e kritikuan ashpër vizitën e tij befasuese, duke thënë se ajo kërcënon ta minojë qëndrimin e BE-së për luftën në Ukrainë dhe thanë se Orbani nuk shkoi atje si përfaqësues i Brukselit.

Pjesëmarrja e Orbanit në samitin joformal të OTS-së në Azerbajxhan të shtunën ishte një ngjarje tjetër ku ai e përfaqësoi Hungarinë dhe jo Bashkimin Evropian, tha Borrell.

“Hungaria nuk ka marrë mandat nga Këshilli i BE-së për t’i shtyrë përpara marrëdhëniet me Organizatën e Shteteve Turkfolëse”, tha Borrell në një komunikatë.

Orbani është fjalosur me Brukselin për vizitat e tij kundërthënëse.

“A nuk lejohemi të kemi darkë, apo kemi nevojë për një mandat të EUCO [Këshillit të BE-së] edhe këtë këtë?” shkroi drejtori i tij politik në X, pas vizitës në Moskë.

BE-ja i ka kundërshtuar përpjekjet e OTS-së për ta legjitimuar Republikën Turke të Qipros Veriore duke e pranuar si anëtare vëzhguese, tha Borrell.

Ishulli i Qipros është i ndarë tash e shumë dekada mes Republikës së Qipros grekfolëse, e njohur ndërkombëtarisht, e cila është edhe anëtare e BE-së, dhe Republikës Turke të Qipros Veriore turkfolëse, e njohur vetëm nga Ankaraja.

OTS-ja është organizatë ndërkombëtare që sjell së bashku vendet ku flitet turqishtja. Ajo u themelua më 2009 nga Turqia, Azerbajxhani, Kazakistani dhe Kirgistani.

Hungaria u bë anëtare vëzhguese e saj në vitin 2018./rel/

Të ngjashme