Bashkimi Evropian është “jashtëzakonisht i shqetësuar” për përshkallëzimin e konfliktit midis Izraelit dhe grupit Hezbollah, të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Ai gjithashtu bëri thirrje për një armëpushim “të menjëhershëm”.
“Bashkimi Evropian është jashtëzakonisht i shqetësuar për përshkallëzimin në Liban, pas sulmeve të së premtes në Beirut”, tha Borrell në një deklaratë, duke bërë thirrje për një “armëpushim” përgjatë vijës kufitare që i ndan, “si dhe në Gaza”.
Ndërkohë, edhe sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, bëri thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm” pas një “përshkallëzimi shqetësues” midis Izraelit dhe Hezbollahut, pasi tensionet në kufi kanë shtuar frikën e një lufte në shkallë të plotë.
“Mesazhi ynë për të gjitha palët është i qartë: kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm nga të dyja palët, në mënyrë që të arrijmë një zgjidhje politike, që izraelitët dhe civilët libanezë të mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të jetojnë në paqe dhe siguri”, tha Lammy gjatë një fjalimi në konferencën vjetore të partisë Laburiste.
Ndërsa, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se një përshkallëzim rajonal ushtarak nuk është “në interesin më të mirë” të Izraelit.
“Ne nuk besojmë se përshkallëzimi i këtij konflikti ushtarak është në interesin e tyre më të mirë,” tha Kirby për ABC, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara “po ia thonë këtë drejtpërdrejt homologëve tanë izraelitë.”
Izraeli dhe grupi libanez Hezbollah, i mbështetur nga Irani, kanë shkëmbyer sulme të përshkallëzuara në kufi, përfshirë një zjarr intensiv raketash gjatë natës në veriun e Izraelit, që detyroi qindra mijëra njerëz të fshiheshin në strehimore, sipas ushtrisë izraelite.
“Tensionet janë shumë më të larta tani sesa ishin vetëm disa ditë më parë,” tha Kirby.
Megjithatë, ai shtoi se “ne ende besojmë se ka hapësirë dhe kohë për një zgjidhje diplomatike dhe për këtë po punojmë.”
Grupi Hezbollah i Libanit lëshoi mbi 100 raketa në orët e hershme të mëngjesit së 22 shtatorit drejt një zone më të gjerë dhe më thellë brenda Izraelit verior.
Breshëria e raketave gjatë natës shkaktoi sirena alarmi në të gjithë veriun e Izraelit, duke i detyruar mijëra njerëz të futen në strehimore. Ushtria izraelite tha se raketat ishin lëshuar “drejt zonave civile”, duke sinjalizuar një përshkallëzim të mundshëm, pasi më parë raketat ishin përqendruar kryesisht në objektiva ushtarake.
Ky sulm me raketa erdhi pas një sulmi ajror izraelit në Beirut më 20 shtator, që vrau të paktën 37 persona, përfshirë një nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut, si dhe gra dhe fëmijë. Hezbollahu ishte ende duke u përballur me një sulm të sofistikuar që shkaktoi shpërthimin e mijëra pajisjeve personale vetëm disa ditë më parë.
Ushtria izraelite tha se kishte kryer një valë sulmesh në jug të Libanit gjatë 24 orëve të fundit, duke goditur rreth 400 objektiva militantësh, përfshirë lëshues raketash. Zëdhënësi ushtarak izraelit, nënkolonel Nadav Shoshani, tha se këto sulme kishin parandaluar një sulm edhe më të madh./rel
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...