BE-ja dënon ekzekutimet e reja në Bjellorusi

20:40 | 30 Maj 2018
Arbresh.info
Bashkimi Evropian dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i dënuan fuqishëm ekzekutimet sekrete të dy bjellorusëve, apeli të cilëve është refuzuar nga Gjykata e Lartë e Bjellorusisë.
“Dy ekzekutimet e reja në Bjellorusi të Viktar Liotau dhe Alyaksey Mikhalenia raportohet se janë bërë fshehtas në mes të majit, 2018”, tha zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq.

Në janar, qendra për të drejtat e njeriut Vyasna, me seli në Minsk, ka thënë se Liotau është dënuar me vdekje, vitin e kaluar, për vrasjen e një shoku të tij në Hlibokaje, rreth 160 kilometra në veri të Minskut.

Sipas Vyasna-s, Mikhalenia është dënuar me vdekje në vitin 2016, për vrasje të fqinjëve.

“Zbatimi i vazhdueshëm i dënimit me vdekje bie ndesh me gatishmërinë e [Bjellorusisë] për t’u angazhuar me bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, në lidhje me çështjen dhe për të shqyrtuar futjen e një moratoriumi mbi të”, tha Kocijançiq.

Bjellorusia mbetet i vetmi vend në Evropë dhe Azinë Qendrore që zbaton dënimin me vdekje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme