Google ADS

BE-ja bëhet gati për temperatura të larta

12:59 | 29 Maj 2023
Emir Abduramani

Bashkimi Evropian ka dyfishuar numrin e pajisjeve në dispozicion për luftimin e zjarreve në pyje, tha komisionari i BE-së për menaxhimin e krizave, Janez Lenarcic. Gjithsej 28 pajisjet do të mund të përdoren për kriza në shtetet anëtare të bllokut evropian, si dhe në vendet fqinje.

Dhjetë aeroplanët e tipit Canadair, 14 avionë të lehtë dhe katër helikopterë do të jenë gati për atë që pritet të jetë një “verë tejet e ngarkuar”, tha Lenarcic në një intervistë me European Newsroom.

“Ky vit ka nisur tashmë me më shumë thatësi se zakonisht”, tha ai, duke vënë në dukje thatësinë e raportuar më parë në Portugali, Spanjë, Francë jugore dhe Itali veriore. Ndërkohë, së fundi, në disa prej këtyre vendeve ka pasur përmbytje pasi uji i grumbulluar nga reshjet e shiut nuk absorbohej lehtësisht nga toka tejet e tharë.

Kjo thatësirë e hershme e pazakontë, së bashku me temperaturat në rritje që po regjistrohen tani në Evropë, janë, “natyrisht, një nxitës kryesor i zjarreve në pyje”, tha Lenarcic.

Pasi viti 2022 solli verën më të nxehtë të regjistruar në Evropë, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në shtator njoftoi për planin për dyfishim të flotës ajrore të zjarrfikësve

Flota është e shpërndarë në mënyrë strategjike në të gjithë BE-në, në mënyrë që të mund të përgjigjet shpejt kur flakët shpërthejnë në periudhën kritike nga qershori deri në tetor.

Avionët janë të stacionuar në dhjetë shtete anëtare: Kroaci, Qipro, Çeki, Francë, Gjermani, Greqi, Itali, Portugali, Spanjë dhe Suedi.

Ky mekanizëm i BE-së u krijua në vitin 2001. Në dy dekadat e para, ai aktivizohej mesatarisht 20 herë në vit.

Në dy vjetët e fundit, kjo është rritur në rreth 100 herë në vit, tha Lenarcic, duke shtuar se ka të ngjarë të ketë nevojë për më shumë fonde në vitet e ardhshme.

“Duhet të ketë më shumë financime për shkak të ndryshimeve klimatike sepse jemi dëshmitarë të një intensiteti të shtuar të fatkeqësive natyrore në veçanti”, paralajmëroi Lenarcic.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme