Përfaqësuesit e Facebook-ut dhe zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhduan të negocionin nëse themeluesi i kompanisë, Mark Zuckerberg, duhet të shfaqet të martën përpara ligjvënësve të BE-së për të diskutuar impaktin e Facebook-ut tek të drejtat e privatësisë të qindra milionë europianëve, si dhe ndikimin tek zgjedhjet në të dyja anët e Atlantikut, dhe tek shpërndarja e lajmeve të rreme.
Ajo që po debatohet është nëse takimi duhet të zhvillohet, pasi Presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, ra dakort të lejojë transmetimin e drejtpërdrejtë në internet. Më parë ishte rënë dakort që takimi të zhvillohej me dyer të mbyllura.
Udhëheqësit e të tetë blloqeve politike në parlamentin evropian patën këmbëngulur për ndryshimin e formatit të këtij takimi.
Ligjvënësit evropianë thonë se do të ishte tepër e dëmshme për zotin Zuckerberg, nëse ai tërhiqej nga zhvillimi i takimit për shkak se dëshirojnë që të transmetohet drejtpërsëdrejti, siç është transmetimi Facebook Live.
Claude Moraes, kreu i komisionit të parlamentit evropian për liritë civile, çështjet e drejtësisë dhe punët e brendshme, paralajmëroi se zotit Zuckerberg do t’i duhet të japë shpjegime më të hollësishme se ato që ai dha muajin e kaluar gjatë dëshmisë së tij përpara komisioneve të Senatit amerikan dhe Dhomës së Përfaqësuesve, për “çështjet e algoritmeve që vendosin në objektiv audienca të caktuara, si dhe të manipulimit politik” dhe për marrëdhënien e Facebook-ut me firmën “Cambridge Analytica”.
Facebook i dha kompanisë britanike të dhënat e miliona amerikanëve dhe evropianëve, të cilat u përdorën më vonë për qëllimet e fushatave elektorale. Kompania Facebook nuk iu përgjigj pyetjeve të Zërit të Amerikës nëse do të zhvillohet takimi i zotit Zuckerberg me ligjvënësit e BE-së.
Moraes deklaroi se “qeveritë e BE-së janë tani plotësisht të ndërgjegjshme se çdo zgjedhje janë tashmë të njollosura. Duam t’i hyjmë në thelb kësaj çështjeje”. Ligjvënësit evropianë thonë se paraqitja e zotit Zuckerberg merr një rëndësi edhe më të madhe, pasi ai refuzoi të shkonte në parlamentet kombëtare të vendeve evropiane, ndër to edhe Dhomën e Ulët të parlamentit britanik.
Zuckerberg pritet t’i drejtohen pyetje edhe rreth arsyeve pse Facebook ende për përdoret nga ekstremistët si një mjet ndërlidhjeje dhe rekrutimi.
Gjatë javëve të fundit, vëmendja ndaj Facebook-ut ka qenë më tepër e përqëndruar tek aspekti i përgjithshëm i menaxhimit të të dhënave të përdoruesve, por analistët paralajmërojnë se ky rrjet i mediave sociale po mundëson një rrjet social vdekjeprurës dhe se nuk po bën mjaftueshëm për ta ndaluar këtë gjë.
“Praktikat e menaxhimit të Facebook-ut mund t’u kenë shërbyer synimeve për ndërlidhje të terroristëve”, thuhet në një deklaratë të Projektit Kundër Ekstremizmit (CEP), një grup studimor jofitimprurës.
Sipas CEP-së, “konstatimet tona hedhin poshtë rregullisht pretendimet e Facebook-ut se moderon përmbatjen në rrjet. Këtë javë, u gjet një video e prodhuar nga grupi mediatik pro-ISIS, Al Taqwa, ku ka pamje të sulmeve në Perëndim dhe thirrje për dhunë të mëtejshme duke i inkurajuar njerëzit që të sulmojnë civilët dhe që ‘t’i vrasin ata me të gjitha mënyrat apo metodat’.”
Studiuesit e CEP-së thonë se opsioni i rrjetit Facebook për “miqtë që sugjerojmë” është një ndihmë për ekstremistët që të lidhen me njëri-tjetrin dhe se “po mundëson një formë të re vdekjeprurëse të rrjetit social”.
“Në mbarë botën, gjatë muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, ka një rritje të ndjeshme të aktivitetit të militantëve në mediat sociale… Aplikacionet e mesazheve të kriptuara, siç është edhe aplikacioni WhatsApp që është në pronësi të Facebook-ut, janë mekanizma të mirënjohura që përdoren nga terroristët për të komunikuar, për të ideuar dhe planifikuar sulme, një praktikë që tragjikisht po vazhdon”, thotë deklarata e CEP-së.
Policia e Kosovës kërkon besim në veri – qytetarët i d...
Kurti mori pjesë në shënimin e 20-vjetorit të programit të e...
Vullneti shfrytëzon kartonin e gjelbër
Rusia ndal furnizimet me gaz për Austrinë
“Kosova, shteti më i vogël në botë me më së shumti pika karb...
Rama: Pagat në turizëm, konkurruese më Greqinë