BE dënon vendimin e Trumpit për të ndaluar fluturimet nga Evropa

13:36 | 12 Mars 2020
Arditë Shkodra

Bashkimi Evropian tha të enjten se vendimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të ndaluar fluturimet nga Evropa për në SHBA, është marrë “në mënyrë të njëanshme” dhe “pa konsultime”.

Duke folur nga Zyra Ovale të mërkurën vonë, Trump tha se fluturimet nga 26 vende të Evropës – që janë pjesë e zonës së lëvizjes së lirë Schengen – për në Shtetet e Bashkuara, do të pezullohen për 30 ditë, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit në SHBA.

Mbretëria e Bashkuar, Irlanda dhe vendet e tjera jashtë Schengenit nuk janë të ndikuara nga kjo ndalesë. Përjashtime bëhen edhe për qytetarët amerikanë.

“Koronavirusi është krizë globale, nuk është i kufizuar në ndonjë kontinent dhe kërkon bashkëpunim në vend të veprimit të njëanshëm”, thanë përmes një deklarate të përbashkët presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Bashkimi Evropian është duke ndërmarrë veprime të fuqishme për të kufizuar përhapjen e virusit”, thanë ata.

Dhjetëra vende të Evropës janë prekur nga një koronavirus i ri, që besohet se e ka origjinën në Kinë. Vendi i goditur më se keqi është Italia, me mbi 12,000 njerëz të infektuar dhe me mbi 820 të vdekur.

Rastet e para me koronavirusin, i cili shkakton sëmundjen e identifikuar si COVID-19, janë shfaqur në Vuhan të Kinës në muajin dhjetor. Simptomat që i shkakton kjo sëmundje janë të ngjashme me pneumoninë. Në SHBA janë mbi 1,300 raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa 38 pacientë kanë humbur jetën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme