Bashkësia Islame Shqiptare bëhet pjesë e Këshillit Mysliman në Gjermani

13:34 | 12 Qershor 2019
Arbresh.info

Këshilli Koordinues Mysliman në Gjermani (KKMGJ), e cila ndërmerr hapa të rëndësishme drejt përfaqësimit të përbashkët dhe të barabartë të myslimanëve në vend, në përbërjen e saj do të pranojë anëtare të reja edhe atë, bashkësinë islame shqiptare, boshnjake dhe marokene, raporton Anadolu Agency (AA).

Këshilli Koordinues Mysliman në Gjermani është një trup i përbashkët, i cili në vitin 2007 u themelua nga katër organizata myslimane në Gjermani, Këshilli Mysliman, Unioni Islam Turk (DITIB), Aleanca e Qendrave Kulturore Islame (AQKI) dhe Këshilli Qendror i Myslimanëve në Gjermani (KQMGJ).

Në takimin e anëtarëve të KKMGJ-së të mbajtur në Këln u diskutua për zgjerimin e këtij trupi dhe u soll vendimi për pranimin e anëtareve të reja të Bashkësive Islame shqiptare, boshnjake dhe marokene.

“Sot u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit me Unionin e Bashkësive Islame Shqiptare në Gjermani (UBISHGJ), Bashkësia Islame Boshnjake në Gjermani (BIBGJ) dhe Këshillit Qendror Maroken në Gjermani (KQMGJ), që ka të bëjë me hyrjen e tyre në kuadër të Këshillit Koordinues Mysliman në Gjermani (KKMGJ)”, thuhet në deklaratën e KKMGJ-së.

Zëdhënësi i KKMGJ-së, Nuhan Soykun tha se me këtë vendim është bërë një hap shumë i rëndësishëm drejt përfaqësimit më të mirë të myslimanëve në Gjermani.

Është paraparë që të tre bashkësitë islame në korrik, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të KKMGJ-së edhe zyrtarisht të bëhen anëtare të Këshillit.

Të ngjashme