Banorët e Karolinës së Veriut vazhdojnë përpjekjet e rimëkëmbjes pas uraganit Helene

15:31 | 13 Nëntor 2024
E.G

Që nga Florida e deri në Virxhinia, amerikanët po përpiqen të rimëkëmben nga dëmet e shkaktuara nga uragani Helene në fund të shtatorit.

Një ekip i Zërit të Amerikës ishte në Karolinën e Veriut, ku disa pjesë të këtij shteti u goditën veçanërisht rëndë nga stuhia shkatërrimtare.

Qindra ura, rrugë dhe struktura të tjera duhet të riparohen ose rindërtohen pasi uragani Helene goditi rëndë Karolinën e Veriut në fund të shtatorit. Sipas përllogaritjeve, stuhia shkaktoi dëme që kapin vlerën e mbi 50 miliardë dollarëve.

Pemët e rrëzuara nga era e fortë dëmtuan rrjetin elektrik për më shumë se një javë. Stuhia ka lënë gjurmë kudo, në shtëpitë e banimit dhe bizneset. Dikush ka vënë një shënim në një mur ku shkruhet se “Ndryshimet klimatike sjellin vdekje”.

Shtëpia e Wendy Collins u dëmtua nga vërshimet ndërsa rrëketë e ujit morën me vete shtëpizën me rrota të të fejuarit të saj.

“Banesa gjendej këtu dhe portën e kishte përballë lumit. Rrëkeja e madhe e ujit e mori me vete. Si shumë të tjerë, nuk u vumë veshin paralajmërimeve për përmbytje, sepse menduam se jemi në male dhe uraganet nuk godasin këtu”, thotë Wendy Collins, banore në Swannanoa.

Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave, shkurtimisht FEMA, koordinon reagimin e qeverisë ndaj fatkeqësive. Ata punojnë ngushtë me zyrtarët shtetërorë dhe lokalë për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Falë agjencisë federale, zonja Collins dhe i fejuari i saj do të qëndrojnë në një hotel në Asheville deri në dhjetor.

FEMA ofron ndihmë financiare për aplikantët në qendrën lokale për rimëkëmbjen nga fatkeqësitë në Asheville, e cila është e hapur çdo ditë javës. Por jo të gjithë banorët janë të kënaqur me ndihmën e saj.

VOA bisedoi me banorët e zonës Fairview, Bryan dhe Jennifer.

“Nuk kemi marrë asgjë. Aplikuam sa më shpejt që mundëm dhe kjo është hera e dytë që paraqitemi. Pritëm dy orë dhe ende asgjë, nuk kam marrë asnjë ndihmë. Zyrtarët e agjencisë FEMA thanë se, nëse aplikuat menjëherë merr 750 dollarë, artikuj ushqimorë dhe gjëra të tjera, por shumica e njerëzve me të cilët kemi biseduar nuk kanë marrë asgjë”.

Zëdhënësi i agjencisë FEMA në Karolinën e Veriut, John Mills, i tha Zërit të Amerikës se deri në fund të tetorit, ishin ndarë mbi 130 milionë dollarë për të prekurit nga uragani Helene në pjesën perëndimore të shtetit. Ai thotë se kërkesat vazhdojnë.

“Kemi miratuar kërkesat për ndihma për më shumë se 91,000 familje. Kjo do të thotë se të prekurit nga fatkeqësia janë takuar me ne personalisht ose kanë aplikuar në internet apo përmes telefonit.”

Barbara Tackner, banore në Asheville, tregon për Zërin e Amerikës dëmet që ka pësuar kati i parë i shtëpisë së saj. Myku ka mbuluar muret dhe dyshemetë duhet të ndërrohen. Vlerësimi i kontraktorit, thotë ajo, është rreth 27,000 dollarë.

“Po bisedojmë me agjencinë FEMA në përpjekje për të siguruar ndihmë financiare për riparimin. E kuptoj që do të duhet kohë, sepse ka shumë njerëz në nevojë, me disa në situata më të vështira. E kuptoj situatën”.

Në anë të rrugës shihen grumbuj mbeturinash dhe rrënojat që dikur ishin shtëpi banimi. Departamenti i Transportit i Karolinës së Veriut thotë do të duhen rreth tre vjet për riparimin e të gjitha rrugëve dhe urave.

Të ngjashme