Mbi 2.3 milionë civilëve në Gaza është duke iu vështirësuar jetesa pa ushqim, ujë dhe mungesë sigurie, teksa shqetësohen edhe për ndonjë intervenim tokësor izraelit, një javë pasi militantët e Hamasit kanë kryer sulme të përgjakshme në Izrael.
Ndonëse mijëra persona e kanë dëgjuar urdhrin e Izraelit për t’u shpërngulur nga veriu për në jug të Gazës, mijëra të tjerë janë nëpër spitale.
Forcat izraelite, të mbështetura nga prezenca e anijeve luftarake amerikane në rajon, janë pozicionuar afër kufirit të Gazës dhe janë stërvitur për atë që Izraeli ka thënë se do të jetë fushatë e gjerë për ta shkatërruar grupin militant Hamas.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se 2.329 palestinezë janë vrarë prej nisjes së luftimeve, më shumë sesa në luftën e Gazës më 2014, e cila ka zgjatur rreth gjashtë javë.
Ky konflikt është më vdekjeprurësi për Gazën në krahasim me katër luftëra tjera që është përfshirë me Izraelin.
Në anën tjetër, më shumë se 1.300 izraelitë janë vrarë nga sulmet e Hamasit më 7 tetor. Kjo shifër është më e larta për Izraelin prej konfliktit të vitit 1973, me Egjiptin dhe Sirinë.
Izraeli ka lëshuar disa paralajmërime për mbi 1 milion palestinezë që të largohen nga veriu i Gazës, me arsyetimin se dëshiron të mos ketë civilë kur ta luftojë Hamasin.
Hamasi, në anën tjetër, u ka kërkuar banorëve të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se një eksod kaq i shpejtë në Gazën 40-kilometërshe, nën rrethim të plotë, do të shkaktojë situatë të rëndë humanitare.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se evakuimet janë të barasvlefshme me “dënime me vdekje” për më shumë se 2.000 pacientë në spitale në pjesën veriore, përfshirë foshnjat e sapolindura që janë nëpër inkubatorë apo në kujdes intensiv.
Sipas OKB-së, gjeneratorët e spitaleve në Gazë kanë naftë vetëm edhe për dy ditë, dhe më pas do të rrezikohet jeta e mijëra pacientëve.
Gaza veçse ka qenë duke u përballur me krizë humanitare, për shkak të mungesës së ujit dhe ilaçeve, të shkaktuar nga rrethimi izraelit.
Pas mbylljes së disa furrave, disa banorë janë ankuar se nuk kanë arritur të blejnë bukë për fëmijët e tyre.
Shumë banorë janë parë të mërzitur e disa të zemëruar, sepse i kanë humbur të gjitha kontaktet me familjarët.
Ushtria izraelite ka thënë të dielën se një sulm ajror në jug të Gazës e ka vrarë një komandat të Hamasit.
Izraeli ka thënë se i ka sulmuar 100 shënjestra ushtarake përgjatë natës, qendra komanduese dhe zona për nisje raketash.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ka thënë të shtunën vonë se Shtetet e Bashkuara do ta dërgojnë një lansuese të dytë raketash në lindje të Mesdheut, si shenjë për ta ndihmuar çdo aleat për ta luftuar çdo aleat të Hamasit, sikurse Iranin, apo Hezbollahun e Libanit.
Ndërkohë, përmes një fjalimi televiziv, zyrtari i lartë i Hamasit, Ismail Haniyeh, ka thënë se “të gjitha masakrat” nuk do ta thyejnë popullin palestinez.
Një sulm ajror izraelit afër kampit të refugjatëve Jabalia, në veri të Gazës, i ka lënë të vdekur 27 persona dhe i ka plagosur mbi 80, kanë thënë autoritetet shëndetësore në Gaza.
Shumica e viktimave është thënë se kanë qenë gra dhe fëmijë.
Ende nuk është e qartë se sa palestinezë kanë mbetur në veri të Gazës deri në mëngjesin e së dielës, mirëpo besohet se 1 milion njerëz janë shpërngulur brenda Gazës këtë javë.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, është shprehur shumë e shqetësuar për palestinezët që nuk mund të largohen sikurse “gratë shtatzëna, fëmijët, personat me nevoja të veçanta dhe të moshuarit”.
Kjo agjenci i ka bërë thirrje Izraelit që t’i mos sulmojë civilët, spitalet, shkollat, klinikat dhe lokacionet e OKB-së./rel
Alex Iwobit iu zbulua dikur paga në internet dhe kishte shif...
Tentohet të vidhet banka në Korçë, policia në vendin e ngjar...
Aksident te Dheu i Bardhë, lëndohen shtatë persona
Pacolli për sulmin në Gjermani: Këta njerëz që ndryshojnë fe...
Sistemi i ri për mbrojtjen nga raketat, përforcon krahun lin...
Blerësit ankohet për çmimet, tregtarët: Ka vështirësi në fur...