Ndërsa Turqia përgatitet për balotazhin presidencial të 28 majit, kandidati i opozitës, Kemal Kiliçdaroglu po përpiqet të tërheqë votuesit nacionalistë me qëndrime kundër refugjatëve dhe qëndrime të forta mbi çështjet e sigurisë.
Kjo është pjesë e përpjekjeve të zotit Kiliçdaroglu për të marrë më shumë mbështetje se sa presidenti aktual Rexhep Tajip Erdogan.
Kandidati i opozitës në Turqi, Kemal Kilicdaroglu po premton të kthejë në shtëpi miliona refugjatë sirianë dhe të mbrojë vendin nga kërcënimet terroriste.
Qëndrimi i ashpër i zotit Kiliçdaroglu, një distancim nga përqëndrimi tek demokracia dhe problemet ekonomike të Turqisë, është një reagim ndaj suksesit në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të Presidentit Recep Tayyip Erdogan, që ishte shumë pranë sigurimit të fitores që në raundin e parë.
“Erdogani i ka ofruar popullit turk një pozicion të bazuar në identitetin e Turqisë si një vendi i fortë, me shumë armiq rreth tij. Të paktën ky është perceptimit i tij, dhe se çdo gjë tjetër është dytësore.
Pra, ky është identiteti që preferohet mbi problemet e përditshme”, thotë Can Selcuki, drejtues i organizatës Kërkimi Ekonomik i Stambollit.
Gjatë fushatës, Presidenti Erdogan përdori video të rreme me gjuhë të ashpër që supozohet se tregonin se si udhëheqësit e separatistëve kurdë brohorisnin në mbështetje të zotit Kiliçdaroglu. Videot u shfaqën ndërsa zoti Kilicdaroglu mori mbështetjen e Selahattin Demirtas-it, ish-udhëheqësit të burgosur të partisë pro-kurde PKK.
Kjo mbështetje i largoi disa votues që favorizonin partinë CHP të zotit Kilicdaroglu.
“Vëmendja e zotit Kilicdaroglu ndaj problemit kurd, pritja e mirë që i bëhej në zonat kurde, mbështetja e vazhdueshme e zotit Demirtas me postime në Twitter, ndikuan që një pjesë e votuesve të CHP-së ndoshta të largoheshin. Kjo shkaktoi një reagim nga mbështetësit nacionalistë dhe të krahut patriotik i CHP-së”, thotë analisti Atilla Yesilada nga organizata GlobalSource Partners.
Analistët besojnë se disa mbështetës të pakënaqur të zotit Kilicdaroglu kaluan tek kandidati presidencial nacionalist i linjës së ashpër Sinan Ogan, i cili befasisht mori 5 për qind të votave në raundin e parë. Zoti Ogan po mbështet Presidentin Erdogan në balotazhin, por është e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë kjo mbështetje.
“Sinan Ogan ka një bazë të përzier mbështetësish dhe nuk jam i sigurt nëse ai mund t’i lëvizë këta njerëz në ndonjë drejtim të caktuar, pavarësisht nga prirjet fillestare të tyre”, thotë analisti Can Selcuki.
Duke marrë parasysh votuesit e zotit Ogan, Kemal Kilicdaroglu tani po mban një qëndrim të ashpër për sigurinë, duke u zotuar se kurrë nuk do të negociojë me separatistët kurdë. Por një veprim i tillë mund të largojë votuesit kryesorë kurdë. Analistët thonë se zoti Kilicdaroglu po rrezikon.
“Në fakt, Kilicdaroglu duhet të fillojë përsëri nga e para. Ai duhet të bindë të tjerët. Ai gjithashtu duhet të bindë Sinan Oganin, votuesin nacionalist dhe, natyrisht, ai duhet të mbajë kurdët në anën e tij. Pra, ky është një ekuilibër shumë delikat. Nuk është e pamundur, por është shumë, shumë më e vështirë se raundi i parë”, thotë Sezin Oney nga portali PolitikYol.
Por me vetëm pak ditë të mbetura deri në votime, zoti Kilicdaroglu nuk ka shumë kohë për të ngushtuar hendekun mes tij dhe Presidentit Erdogan./voa
Rrahen mes vete shtatë persona në Lipjan, dy përfundojnë në ...
Kina dislokon forca ajrore e detare, pasi SHBA-ja dërgoi një...
Arrestohen dy persona duke kontrabanduar municion nga Serbia...
Mbi 1 mijë e 898 tiketa trafiku të shqiptuara brenda 24 orëv...
Osmani në Kolumbi, ndan thirrje për eliminimin e dhunës ndaj...
Ministri Peci i “zhytur” në skandale, punësime familjare, e ...