Uashingtoni dhe Brukseli vazhdojnë t’i nxisin vendet ballkanike që mbeten ende jashtë Bashkimit Evropian, që të përshpejtojnë proceset e brendshme të integrimit ekonomik brenda rajonit. E shpallur në vitin 2019, nisma “Ballkani i Hapur” po rezulton dalëngadalë të jetë
një treg i përbashkët, që do të lejojë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Evropën Juglindore, duke pasqyruar atë që bën vetë BE-ja në Evropën Perëndimore.
Brukseli e ka bërë të qartë në disa raste, se asnjë nga vendet e Ballkanit nuk do të mund të anëtarësohet në BE, të paktën deri në vitin 2025. Tejet të vetëdijshëm se anëtarësimi i tyre
në BE nuk është i pashmangshëm, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria vendosën në vitin 2019 të çojnë përpara bashkëpunimin rajonal, duke formuar të ashtuquajturin “mini-Shengen”, sipas Marrëveshjes së Shengenit që lejon lëvizjen pa pasaporta brenda 26 vendeve anëtare të BE-së.
Qëllimi i nismës ishte “përmirësimi i jetës dhe ekonomisë në rajon”, derisa BE-ja të hapë dyert për këto vende të Ballkanit Perëndimor. Në korrik 2021, mini-Shengeni u riemërua si nisma “Ballkani i Hapur”. Megjithatë, as ky emër i ri nuk i zgjidhi problemet ekonomike me të cilat përballet rajoni.
Për shembull, vendet e rajonit vazhdojnë të përjetojnë një migrim masiv të punëtorëve shumë të kualifikuar dhe të arsimuar. Ndërkohë, mbeten për t’u zgjidhur edhe shumë çështje politike. Deri më sot, është ende e paqartë se sa vende janë pjesë e Ballkanit Perëndimor.
Për BE-në dhe Shtetet e Bashkuara, vendet e Ballkanit Perëndimor janë Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova. Në realitet, të gjitha këto vende ndodhen në pjesën qendrore dhe jugore të Gadishullit Ballkanik dhe jo në perëndim të tij.
Për më tepër, Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës, dhe e shohin atë si pjesë integrale të Serbisë. Por Shtetet e Bashkuara, këmbëngulin që “Ballkani i Hapur” të përfshijë “të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor në të njëjtin nivel”.
Gabriel Escobar, zëvendësndihmëssekretari i SHBA-së që mbikëqyr politikën e Ballkanit Perëndimor, thotë se që të ketë sukses “nisma duhet të përfshijë të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe të harmonizojë axhendën e saj me të gjitha nismat e tjera rajonale si Procesi i Berlinit”.
Pra Serbia do të detyrohet që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke e lejuar këtë të fundit që t’i bashkohet nismës “Ballkani i Hapur”. Aktualisht, autoritetet në Prishtinë refuzojnë çdo pjesëmarrje në këtë grupim, duke pretenduar se ai “shërben vetëm për të forcuar më tej Serbinë”.
Megjithatë, duke pasur parasysh faktin se kreu ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, e mbështet hapur pjesëmarrjen e Kosovës në këtë nismë, ka shumë gjasa që
Kosova, e njohur si shtet i pavarur nga shumica e vendeve perëndimore, por jo nga Greqia, Qiproja, Rumania, Spanja dhe Sllovakia, t’i bashkohet së shpejti bllokut.
Vlen të kujtohet se edhe Mali i Zi, e kundërshtoi në fillim anëtarësimin në këtë nismë. Por kryeministri i i ri i vendit, Dritan Abazovic, deklaroi pak ditë më parë se kabineti i tij do të marrë në konsideratë përfshirjen në këtë projekt. Në të kaluarën, skeptike ka qenë edhe Bosnje Hercegovina.
Por në samitin e Ohrit më 8 qershor, mori pjesë edhe Zoran Tegeltija, kreu i Këshillit të Ministrave të Bosnjës, në cilësinë e vëzhguesit, ashtu si kryeministri malazez Abazovic.
“Komuniteti i biznesit dhe publiku boshnjak në përgjithësi, e mbështet nismën. Megjithëse nuk ka ende një konsensus, kryesisht për arsye politike”-tha Tegeltija, duke vënë në dukje se i kërkoi zyrtarisht presidencës së Bosnje Hercegovinës të shqyrtojë dhe miratojë pranimin e vendit në këtë nismë rajonale.
Gjatë samitit që u mbajt në fillim të këtij muaji, udhëheqësit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunimin për njohjen reciproke të diplomave dhe kualifikimeve akademike. Më herët, në dhjetor 2021, ata nënshkruan Marrëveshjen për Qasjen e Lirë në Tregun e Punës në Ballkanin Perëndimor.
Ky dokumenti i jep të drejtën qytetarëve në të tria vendeve që të lëvizin, qëndrojnë dhe punojnë brenda 3 vendeve. Në korrikun e vitit të kaluar, Beogradi, Shkupi dhe Tirana ranë dakord të heqin kontrollet kufitare midis 3 shteteve ballkanike, duke filluar që nga 1 janari 2023, një veprim që pritet të forcojë lidhjet e tyre ekonomike dhe të rrisë lëvizshmërinë.
Në këtë pikë, është ende shumë herët të thuhet se kush do të përfitojë më shumë nga nisma “Ballkani i Hapur”. Vetë fakti që Bashkimi Evropian e mbështet këtë projekt, mund të nënkuptojë se i lodhur nga zgjerimi i mëtejshëm, Brukseli e sheh procesin si një zëvendësim për anëtarësimin e rajonit në bllok.
Megjithatë, Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, që mori pjesë në Samitin e Ohrit, deklaroi se “nisma mund të përfaqësojë një mundësi për përshpejtimin e rrugës drejt BE-së”. Megjithatë, nuk do të thotë domosdoshmërisht se vendet e Ballkanit do t’i bashkohen së shpejti unionit, apo se kjo do të ndodhë domosdoshmëisht
një ditë.
“Në BE nuk ka më dëshirë për zgjerim”- deklaroi presidenti serb Aleksandar Vucic në korrikun e vitit 2021. Mbetet të shihet nëse lufta në Ukrainë do të ndryshojë strategjinë e zgjerimit të BE-së. Në rast se konflikti në vendin e Evropës Lindore, nuk do të çojë në një integrim më të shpejtë në BE të të ashtuquajturave vende të Ballkanit Perëndimor, të gjitha ato ka të ngjarë të mbeten në “dhomën e përjetshme të pritjes” së BE-së.
Ndërsa presin një “të ardhme të ndritur evropiane” që mund të mos vijë kurrë, këto vende do të vazhdojnë me siguri të integrohen në nismën “Ballkani i Hapur”.
Megjithëse mund të mos jetë zyrtarisht pjesë e BE-së, rajoni i Ballkanit do të mbetet padyshim në qendër të orbitës gjeopolitike të Brukselit dhe Uashingtonit, të paktën për një të ardhme të parashikueshme./abcnews.al/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...