Tensionet e vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë mbeten sfida kryesore për Procesin e Berlinit, por ministrja gjermane e jashtme, Annalena Baerbock u tregua optimiste se deri në samit do të ketë një zgjidhje
Fokusi i konferencës përgatitore të ministrave të jashtëm të Procesit të Berlinit, të martën, 1 tetor, në Berlin, ishte bashkëpunimi në fushën arsimit, ekonomisë dhe politikës. Në një deklaratë përfundimtare ministrat ranë dakord për katër pika kryesore: njohjen reciproke të diplomave universitare, harmonizimin e politikave të investimeve me standardet e BE-së, inkurajimin e partneritetit në fushën e kërkimit dhe inovacionit, si dhe përmirësimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Marrëveshjet priten të finalizohen në samitin e Procesit të Berlinit, më 14 tetor, nën drejtimin e kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
CEFTA ende jashtë agjendës
Projekti kryesor i samitit, marrëveshja e shumëpritur e tregtisë së lirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, e njohur ndryshe si CEFTA e re, nuk ishte pjesë e deklaratës. Shkak janë mosmarrëveshjet ende të pazgjidhura me Kosovën. Ministrja gjermane e punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, sikurse edhe më parë, në takimin e ministrave të ekonomisë zëvendëskancelari gjerman, Robert Habeck, vijojnë të jenë optimistë se do të gjendet një zgjidhje. Baerbock tha se është me rëndësi, që në këtë dhjetëvjetor të Procesit të Berlinit të arrihet marrëveshja e CEFTA-s. “Ne po punojmë me përkushtim të madh që në samitin e ardhshëm të krerëve të shteteve dhe qeverive pas dy javësh të mos festohet vetëm 10-vjetori i Procesit të Berlinit, por që të arrihet një gur kilometrik i rëndësishëm, jo vetëm në drejtim të integrimit evropian, por veçanërisht në bashkëpunimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Deri atëherë, ka ende disa gjëra për të bërë. Por është e qartë për të gjithë se marrëveshja rajonale e tregtisë së lirë CEFTA nuk nënkupton vetëm një integrim ekonomik më të fortë dhe një treg rajonal të përbashkët, por që nga kjo përfitojnë në mënyrë konkrete si njerëzit, ashtu edhe kompanitë”, tha Baerbock në një prononcim për median.
Pjesëmarrja e Kosovës në CEFTA varet nga heqja e bllokadës ndaj produkteve serbe, bllokadë e cila bie ndesh me parimet e tregtisë së lirë. Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, u tregua optimiste se do të gjendet një zgjidhje deri më 14 tetor, por nuk mund të jepte më shumë detaje. Më parë një sërë ministrash pjesëmarrës në takim kishin kërkuar si nga Kosova ashtu edhe Serbia më shumë gatishmëri për kompromis. Ministri i Jashtëm i Bosnjës dhe Hercegovinës, Elmedin Konaković, theksoi rëndësinë e zhvillimit të CEFTA-s në për të frenuar largimin e trurit nga Ballkani Perëndimor. Ai tha se shpreson që “liderët e Kosovës dhe Serbisë do ta kuptojnë këtë prioritet për të krijuar mundësi më të mira për të rinjtë në rajon”.
Baerbock për Serbinë: Jo në dy karrige
Donika Gërvalla nga ana e saj tërhoqi vëmendjen për rreziqet që vijnë në rajon për shkak të marrëdhënieve të ngushta të Serbisë me Rusinë. “Zëvendëskryeministri i Serbisë u takua së fundmi në Rusi me Putinin, prej të cilit mori udhëzime dhe theksoi se Rusia është një partner strategjik i Serbisë. Vulin theksoi qartë se Serbia nuk do të kërkojë anëtarësimin në NATO apo afrimin me Perëndimin. Për më tepër, Aleksandar Vulin vendosi lule në varrin e vrasësit masiv, Josef Stalin. Është e qartë se ne duhet të angazhohemi në dialog, por nuk duhet të jemi të verbër ndaj rreziqeve që po shtohen gjithnjë e më shumë në rajonin tonë”, tha Gërvalla.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e pyetur për këtë rrezik të mundshëm nga Serbia tha se “është vendimtare që të mos qëndrosh në dy karrige njëkohësisht. Kushdo që dëshiron në Bashkimin Evropian, duhet të bëjë një zgjedhje të qartë për vlerat tona dhe për rendin paqësor evropian.”
Procesi i Berlinit mbush dhjetë vjet
Procesi i Berlinit, i iniciuar në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel feston këtë vit 10-vjetorin e krijimit. Synimi i tij është forcimi i bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimin e procesit të tyre të integrimit në Bashkimin Evropian. Vendet pjesëmarrëse përfshijnë Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, si edhe shumë vende të tjera anëtare të Bashkimit Evropian dhe Britania e Madhe. Ndër arritjet kryesore të procesit janë heqja graduale e tarifave të roaming-ut, njohja e diplomave dhe krijimi i një tregu të përbashkët rajonal, që synon rritjen e integrimit ekonomik dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes vendeve pjesëmarrëse./dw
Qeveria ka mbajtur dje mbledhje elektronike, njofton për ven...
Kosova me sanksione shtesë ndaj Rusisë
“Kosova prioritet kombëtar”, Hasani: Ne do të angazhohemi pë...
Murati: Pasdite pritet të bëhet ekzekutimi i shtesave nga 10...
SHSKUK-ja jep detaje për 30 vjeçarin e infektuar me Lijën e ...
Hoti: Sikur të nisej me kohë ndërtimi i termocentralit me ga...