Në një intervistë për DW-TV, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, komenton të ardhmen e mundshme të Gazës. Ajo i quan shqetësuese opinionet se Gjermania është e njëanshme në anën e Izraelit.
Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock (Aleanca 90/Të Gjelbërit) është shprehur për përgjegjësi ndërkombëtare për Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës aktuale midis Hamasit terrorist dhe Izraelit. Në një intervistë për DW-TV, ministrja e Jashtme iu përgjigj pyetjeve të moderatorit Jaafar Abdul Karim në Berlin.
Nuk do të ketë zgjidhje të lehta për këtë konflikt jashtëzakonisht të vështirë, tha politikanja e Partisë së Gjelbër, por shtoi: “Për të garantuar sigurinë, nevojitet përgjegjësi ndërkombëtare. “Ne e dimë këtë nga përvoja me luftërat e tmerrshme në Ballkanin Perëndimor në Evropë. Edhe aty Bashkësia Ndërkombëtare mori përgjegjësi mbrojtëse. Sepse në këtë situatë, ku kanë ndodhur krimet më të rënda, aktorët në rajon thjesht nuk kanë më besim te njëri-tjetri. Unë e shoh këtë edhe atje.” Në takimin e ministrave të jashtëm të G7 në Tokio, dy javë më parë, Baerbock, e mbështetur nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nuk duhet të ketë sërish një pushtim të Rripit të Gazës nga Izraeli. Deri në vitin 2005, Izraeli e mbante të pushtuar Rripin e Gazës.
“Askush këtu në Berlin nuk mund ta imagjinojë se si është atje.”
Që nga sulmi terrorist i Hamasit në Izrael më 7 tetor, Baerbock e ka vizituar disa herë rajonin e Lindjes së Mesme, ajo ka shkuar në Izrael, në territoret palestineze dhe në shtetet fqinje arabe si Jordania dhe Egjipti. Në intervistë për DW, ajo përshkroi ndjenjat e saj për dhunën në rritje: “Askush këtu në Berlinin e qetë dhe të sigurt nuk mund ta imagjinojë me të vërtetë se çfarë do të thotë kjo për banorët vendas. Kam takuar babanë dhe bashkëshortin e një prej familjeve të pengjeve, me pasaporta gjermane, të cilët përshkruanin se si u rrëmbyen gruaja dhe dy vajzat e tij të vogla. Vështirë të durosh kur imagjinon se këta mund të ishin fëmijët tuaj. Por pata të njëjtën ndjenjë kur isha në Ramallah. Dhe folëm me një burrë, të cilit i ishin vrarë gruaja dhe djali i vetëm në Gaza”.
“Hamasi dëshiron ta asgjësojë Izraelin. çdo ditë.”
Edhe një herë, siç kishte bërë disa herë më parë, Baerbock u shpreh kundër një armëpushim. Ministrjagjermane tha: “Armëpushimi do të nënkuptonte që Izraeli do të duhej të negocionte me Hamasin në mënyrë që ata të mos qëllonin më kundër njëri-tjetrit. Dhe kjo do të thotë që Izraeli të mos mund të mbrohej nga terrori i vazhdueshëm me raketa. Hamasi e bën të qartë këtë çdo ditë: Ai do të fshijë Izraelin nga harta. Kjo do të thotë: Ata duan të zhdukin Izraelin dhe në një situatë të tillë Izraeli duhet të mbrojë popullin e tij.”
“Izraeli duhet të mbrojë njerëzit civilë në Gaza”
Por Baerbock tha se Gjermania me partnerët ndërkombëtarë, amerikanët dhe shumë përfaqësues të vendeve arabe po përpiqen të bëjnë gjithçka që munden për të siguruar që njerëzit në Gaza të kenë vende të sigurta ku mund të furnizohen me ujë të pijshëm dhe ilaçe. Baerbock: “Ky ishte gjithashtu shqetësimi im kur isha në Izrael e ku ia bëra të qartë qeverisë izraelite: Njerëzit në Gaza duhet të mbrohen, lufta është kundër një organizate terroriste, Hamasit, e cila dëshiron të shkatërrojë Izraelin, dhe jo kundër popullatës civile në Gaza, jo kundër njerzve të pafajshëm, jo kundër grave dhe fëmijëve, palestinezëve të pafajshëm”.
Baerbock: Netanyahu duhet ta dënojë ndërtimin e vendbanimeve
Baerbock përsëriti kritikat për ndërtimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor. Së fundmi ajo ua shprehu këtë kërkesë përfaqësuesve të qeverisë izraelite në vend: “Kryeministri izraelit duhet ta dënojë këtë dhunë të kolonëve, ajo duhet të ndiqet penalisht; kjo është në interes të sigurisë së Izraelit. Dhe në lidhje me sigurinë në Bregun Perëndimor, Baerbock tha se Izraeli është bashkë-përgjegjës “që atje situata të mos përshkallëzohet më tej”.
“Ekzistenca e Izraelit mbetet kauzë shtetëtore për Gjermaninë”
Baerbock e hodhi poshtë me forcë kritikën e bërë edhe nga myslimanët që jetojnë në Gjermani, se duke pasur parasysh historinë e Gjermanisë, Gjermania i kushton më pak vëmendje vuajtjeve të njerëzve në Rripin e Gazës dhe në territoret e pushtuara dhe u kushton më shumë vëmendje izraelitëve. Është dhe do të mbetet kauza shtetërore e Gjermanisë që të angazhohet për të drejtën e ekzistencës së Izraelit: “Qeveria naziste gjermane ka përgjegjësi për vrasjen e mbi gjashtë milionë hebrenjve, e tani njerëzit na kritikojnë se po flasim për mësimet e nxjerra nga tmerret e Luftës së Dytë Botërore. E drejta ndërkombëtare është krijuar mbi këtë bazë, që të mos ketë më gjenocid”. Është shqetësuese që kjo tani po kritikohet, tha Baerbock. Ajo u tha se është e shqetësuar edhe nga fakti se jo të gjitha shoqatat myslimane në Gjermani e dënuan sulmin ndaj Izraelit në fillim të tetorit. “Më duket jo vetëm e pabesë të nxitësh një vuajtje kundër një vuajtje tjetër, por më lëndon edhe mua si person dhe si nënë.” Gjermania duhet të vazhdojë të ndërmarrë veprime të vazhdueshme kundër racizmit dhe antisemitizmit, qofshin këto edhe me mjete të së drejtës penale.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...