Google ADS

Babai palestinez që humbi 4 fëmijë në sulmin izraelit: Djali im i vogël sot do të kishte filluar shkollën

00:28 | 21 Gusht 2021
Trina Galanxhi

Në vend të nxitimit për përgatitje dhe lumturisë që përjetohet në ditët e para kur hapen shkollat, në shtëpinë e palestinezit Muhammed al-Hadidi këtë vit ka zi, pasi ai ka humbur gruan dhe 4 fëmijët e tij në sulmet që Izraeli ndërmori rreth 3 muaj më parë në Rripin e Gazës nën bllokadë.

Foshnja Omer i cili ende nuk ka mbushur njëvjetorin është i vetmi anëtar që ka mbetur nga familja e babait Hadidi i cili humbi gruan dhe 4 fëmijë në sulmin më 15 maj ku Izraeli vendosi në objektivin e tij shtëpinë e të afërmeve të tyre në të cilën ata kishin shkuar nga kampi i refugjatëve al-Shati me rastin e Bajramit.

Nga ngjarja fatkeqe kanë kaluar 3 muaj, por dhimbjet e babait palestinez rikthehen me arsye të ndryshme.

Këtë vit në familjen Al-Hadidi nuk ka ardhur nxitimi për përgatitjet shkollore që përjetohet në shtëpitë e tjera me fillimin e vitit të ri shkollor këtë javë.

U përkujtuan nga shokët e shkollës me fotografi

Muhammed al-Hadidi, këtë vit shkoi i vetëm në shkollat ku ai dërgonte fëmijët e tij në vitet e mëparshme.

Shokët e shkollës, përkujtuan me fotografitë e vendosura mbi banka shokët e tyre Suheyb (14), Yahya (12), Abdurrahman (9) dhe Osama (6) me të cilët do të ishin bashkë nga shkolla fillore e deri në shkollë të mesme nëse do të ishin gjallë.

Hadidi vizitoi në shkollë shokët e fëmijëve të tij të cilët i përkujtuan ata.

Babai palestinez tha se çdo vit në këtë periudhë kalonin shumë kohë me fëmijët e tij për përgatitjet shkollore duke blerë libra dhe produkte të ndryshme kancelarie.

“Djali im i vogël Osama ishte shumë i zellshëm për t’u arsimuar”

Duke vënë në dukje se ditën e parë të shkollës i shoqëronte vetë fëmijët në shkollë dhe u jepte disa këshilla, Hadidi në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se “Edhe këtë vit ashtu sikurse në vitet e tjera dëshiroja që fëmijët e mi t’i dërgoja në shkollat e tyre dhe t’i akomodoja në klasa”.

“Sikur djali im i vogël të ishte në jetë, ai sot do të kishte filluar shkollën. Djali im i vogël Osama ishte shumë i zellshëm për t’u arsimuar; gjithmonë më pyeste kur do të fillonte shkolla. Vazhdimisht më pyeste kur do të mbaj çantën e shkollës, kur do të vishem me uniformën shkollore”, tha Hadidi.

“Na lanë vetëm me Omerin”

Në këtë kohë të vitit Hadidi kujton se me fëmijët kryenin mbështjelljen e librave, shkruanin emrat mbi to si dhe ndanin mes tyre mjetet shkollore. Babai Hadidi dhimbjen e tij e ka përshkruar me fjalët “Por ata ikën, na lanë vetëm me Omerin”.

Më tej ai tha se fëmijët që ai ka humbur në sulme kishin prirje dhe ëndrra të ndryshme.

“Suheyb, kishte shumë dëshirë të ushqente zogjtë dhe të kujdesej për to. Më i vogli Yahya kishte interes për programet elektronike; kishte dëshirë të bëhej programues. Djali tjetër Abdurrahman ishte shumë i qetë; kishte dëshirë të udhëtonte dhe të bëhej mjek. Ndërsa Usame do të fillonte shkollën”, tregoi babai palestinez.

Duke theksuar se nuk mund ta imagjinonte një fat të tillë, Hadidi shfaqi reagimin e tij ndaj Izraelit duke u shprehur se “Unë jam një qytetar civil, nuk kam lidhje me asnjë grup. Përse më vranë fëmijët?”.

Në Gaza që Izraeli vendosi në objektiv për 11 ditë që nga 10 maji, humbën jetën 254 palestinezë, përfshirë 66 fëmijë dhe 39 gra.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme