Azerbajxhani ka kërcënuar të enjten me veprim ushtarak të shkallës së gjerë kundër Armenisë, si përgjigje ndaj atyre që i ka cilësuar “provokime” armene përgjatë kufirit mes dy vendeve.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit ka pretenduar që ushtria armene ka përdorur “armë të rënda” dhe dronë zbulues në atë zonë.
Ministria, gjithashtu, i ka bërë thirrje Armenisë dhe sponsorëve të vet, “të përmbahen prej krijimit të një vatre të re lufte” në Kaukazin e Jugut.
“Nëse nuk ndalen këto veprime provokative, do të merren hapat e duhur, duke përdorur gjithë arsenalin e forcave të armatosura të Azerbajxahnit, për qëllime të vetëmbrojtjes”, është thënë në deklaratë.
Ministria i ka dënuar edhe fuqitë perëndimore që kanë rritur bashkëpunimin ushtarak me Armeninë, duke cituar stërvitjet e përbashkëta ushtarake, të kryera prej Shteteve të Bashkuara në Armeni këtë muaj, një marrëveshje për armët me Francën dhe alokimin e 10 milionë eurove prej Bashkimit Evropian si ndihmë ushtarake për Jerevanin.
Ministria ka pretenduar se këto veprime mund të inspirojnë Armeninë “të kryejë provokime të reja dhe të përgatitet për një tjetër luftë me Azerbajxhanin”.
Ministrja e Jashtme armene i ka hedhur poshtë këto pretendime.
Zëdhënësja, Ani Badalian, ka insistuar që Jerevani vazhdon të jetë i përkushtuar për “agjendë paqësore” dhe “nuk do të devijojë prej asaj strategjie”.
Ajo ka thënë se Bakuja e ka injoruar një propozim armen, të bërë së fundmi, për të kryer hetime rreth shkeljeve të armëpushimeve, për të cilat palët e fajësojnë njëra-tjetrën.
Badalian ka thënë se blerja e armëve prej Francës dhe kombeve tjera ka vetëm qëllim “mbrojtjen e territorit të njohur ndërkombëtarisht”.
Ministria e Jashtme armene ka pretenduar më 19 qershor se Azerbajxhani mund të jetë duke planifikuar “agresion të ri” kundër Armenisë.
Kërcënimet e fundit të Azerbajxhanit vijnë dy javë pasi ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve janë takuar në Uashington për bisedime, dhe nikoqir i tyre ka qenë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Palët nuk kanë raportuar për përparim drejt nënshkrimit të një traktati të paqes mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Këto dy shtete fqinje kanë negociuar traktat të paqes prej kur Azerbajxhani e ka rimarrë kontrollin e Nagorno-Karabakut, në shtator të vitit 2023, përmes një ofensive të shpejtë.
Armenia, aleate dhe partnere tradicionale e Rusisë, është rikthyer së fundmi drejt Perëndimit dhe ka ftohur lidhjet me Moskën, të cilën Jerevani e fajëson që ka dështuar ta mbështesë në konfliktin me Azerbajxhanin./rel
“Çfarëdo që vendosim tani do llogaritet si lojë”, Sara dhe D...
Policia me njoftim për disa gjoba në rajonin e Prishtinës
Manchester United me rekord të zi këtë edicion në Premier Le...
Shkon në 94 numri i të vdekurve nga cikloni në Mozambik
Ancelotti: Jemi rikthyer, pas humbjes ndaj Milanit, folëm dh...
Kurti e Nagavci lansojnë nesër pilotimin e Programit të Kupo...