Autoriteti Palestinez reagoi kundër marrëveshjes midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) për normalizimin e marrëdhënieve, duke e quajtur atë si një tradhti ndaj Kudsit, Mesxhid al-Aksasë dhe kauzës palestineze, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim, Autoriteti Palestinez tha se e dënon fuqishëm dhe refuzon marrëveshjen e EBA-së për normalizim me Izraelin.
Në deklaratë theksohet që EBA arriti këtë marrëveshje në këmbim të pezullimit të përkohshëm të aneksimit të disa pjesëve të Bregut Perëndimor të okupuar nga “shteti okupues” izraelit dhe nën hijen e planeve për ta hebraizuar Mesxhid al-Aksanë.
“Marrëveshja e EBA-së me Izraelin është tradhti ndaj Kudsit, Mesxhid al-Aksa-së dhe kauzës së Palestinës. Ky hap është shkatërrim i vendimeve të Nismës Arabe për Paqe, takimeve të Ligës Arabe dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe legjitimitetit ndërkombëtar. Ajo do të thotë gjithashtu injorim i të drejtave të popullit palestinez, vendeve të shenjta, veçanërisht Mesxhid al-Aksa-së, dhe injorim i kërkesave të një shteti të pavarur palestinez me kufijtë e vitit 1967”, thuhet në deklaratë.
Autoriteti Palestinez i bëri thirrje EBA-së të heqë dorë nga ky vendim, duke theksuar se popujt arabë nuk duhet të mbështeten në vendime të tilla.
Deklarata thekson se EBA ose ndonjë palë tjetër nuk kanë të drejtë të flasë në emër të popullit palestinez dhe se Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) është përfaqësuesi i vetëm legjitim i popullit palestinez.
Autoriteti Palestinez i bëri thirrje Ligës Arabe për një takim urgjent dhe ftoi OBI-në për të refuzuar këtë vendim.