Autoritetet sllovake: Gjendja e kryeministrit është serioze, momenti më i trishtë në historinë e vendit

21:59 | 15 Maj 2024
D.H

Ministri i Mbrojtjes së Sllovakisë, Robert Kaliňák, deklaroi se kryeministri i vendit Robert Fico i është nënshtruar një operacioni dhe se ndodhet në gjendje “jashtëzakonisht të rëndë” për jetën.

Në një konferencë shtypi jashtë spitalit në Banská Bystrica, ministri tha se mjekët po bëjnë çfarë është e mundur për jetën e kryeministrit, i cili pësoi pësoi “politraumë të rëndë pas disa të shtënash”.

“Operacioni ka vazhduar për tre orë e gjysmë. Gjendja e tij mjekësore është vërtet shumë komplekse. Ne jemi të fokusuar në mënyrë të veçantë te shëndeti i Robert Ficos. Dhe ne shpresojmë se ai do të jetë mjaft i fortë për t’ia dalë mbanë”, tha Kaliňák.

Ai e përshkroi ngjarjen si më të rëndën në historinë e Sllovakisë.

“Sot është momenti më i trishtuar në 31 vitet e historisë së Sllovakisë… Sulmi ndaj kryeministrit është sulm ndaj demokracisë. Është një sulm ndaj vetë shtetit.”, tha ministri.

Ministri i Brendshëm, Matush Šutaj Eštok tha se sulmi ishte i motivuar politikisht, duke shtuar se informacioni bazohet në dëshminë e parë të të dyshuarit. Sipas tij, autori ka qëlluar pesë herë ndaj kryeministrit.

“Kjo tentativë për vrasje ishte e motivuar politikisht dhe i dyshuari mori vendimin për ta bërë atë menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale. Është e qartë se kjo ishte e motivuar politikisht,” tha ministri i Mbrojtjes Robert Kaliňák, duke folur së bashku me Eštok./abcnews.al

Të ngjashme