Autoritetet franceze: Qindra, ndoshta mijëra viktima nga cikloni në Mayotte

20:52 | 15 Dhjetor 2024
E.G

Qindra persona, ndoshta edhe mijëra, mund të kenë humbur jetën nga cikloni Chido në arkipelagun francez Mayotte në Oqeanin Indian, tha të dielën në televizionin lokal një zyrtar i lartë francez.

“Mendoj se do të jenë me siguri qindra, ndoshta edhe mijëra, disa mijëra”, tha në kanalin televiziv Mayotte La 1ere, prefekti Francois-Xavier Bieuville.

E pyetur për viktimat, ministria e brendshme franceze tha se “do të jetë e vështirë të evidentohen të gjitha viktimat” dhe se një shifër e saktë nuk mund të përcaktohej në këtë fazë.

Cikloni Chido goditi në Mayotte gjatë natës, tha administrata zyrtare e metereologjisë Meteo-France, me erëra me shpejtësi mbi 200 kilometra në orë që dëmtuan vendstrehimet, godinat e qeverisë dhe një spital. Sipas Meteo-France, kjo ishte stuhia më e fuqishme që ka goditur ishullin në mbi 90 vite.

Pamjet e marra nga ajri nga forcat e xhandarmërisë franceze tregonin rrënojat e qindra barrakave nëpër kodrat e njërit prej ishujve Mayotte, ku ka patur një përqëndrim emigrantësh të paligjshëm nga Comorosi fqinj.

Rezultoi e vështirë përllogaritja e viktimave pas ciklonit, që shkaktoi shqetësime edhe për qasjen tek ushqimi, për ujin e pijshëm dhe higjienën, thanë autoritetet.

“Për numrin e viktimave, do të komplikohet situata, pasi Mayotte është territor mysliman ku të vdekurit varrosen brenda 24 orëve”, tha më herët një zyrtar i ministrisë së brendshme franceze. Sipas ministrisë, në Mayotte gjenden mbi 100 mijë emigrantë pa dokumente.

Duhen katër ditë udhëtim me anije që të mbërrihet në Mayotte, e gjendur gati 8 mijë kilometra larg Parisit. Mayotte është më e varfër se pjesa tjetër e Francës dhe është përballur prej dekadash me dhunën nga bandat dhe trazirat sociale.

Rreth 77% e banorëve në Mayotte jetojnë nën pragun e varfërisë.

Tensionet ishin shtuar më herët këtë vit për shkak të mungesës së ujit të pijshëm.

Cikloni u zhvendos të dielën drejt Mozambikut verior, ku nuk ishin ende të qarta pasojat e goditjes. Sipas një njoftimi në rrjetin X të monitoruesit të internetit NetBlocks, reshje të mëdha dhe erërat kishin dëmtuar furnizimin me energji dhe infrastrukturën e telekomunikacionit./voa

 

Të ngjashme