Organizata e Kombeve të Bashkuara që ndihmon në hetimin e krimeve më të rënda në Siri tha të hënën se autoritetet e reja të vendit ishin “shumë të hapura” ndaj kërkesës për bashkëpunim gjatë një vizite të sapo përfunduar në Damask dhe se po përgatitet për t’u vendosur në terren.
Vizita, e udhëhequr nga Robert Petit, kreu i Mekanizmit Ndërkombëtar, të Paanshëm dhe të Pavarur për Sirinë, ishte e para që nga krijimi i organizatës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2016.
Mekanizmi u krijua për të ndihmuar në mbledhjen e provave dhe ndjekjen penale të individëve përgjegjës për krime të mundshme lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid që nga fillimi i luftës civile në Siri në vitin 2011.
Petit theksoi urgjencën për ruajtjen e dokumenteve dhe provave të tjera përpara se të humbasin.
Pas rrëzimit të Presidentit sirian Bashar al-Assad nga rebelët dhe hapjes së burgjeve dhe qendrave të ndalimit, kërkesat nga sirianët për ndjekjen penale të atyre që janë përgjegjës për mizori dhe vrasje gjatë kohës që ai ishte në pushtet janë rritur.
“Rënia e regjimit të Assadit është një mundësi e rëndësishme për ne që të përmbushim mandatin tonë në terren”, tha Petit.
“Koha po mbaron. Ka një dritare të vogël mundësie për të siguruar këto vende dhe materialet që ato përmbajnë”, theksoi Petit, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Tremblay, tha të hënën se ekipi hetimor “po përgatitet për një vendosje operacionale sa më shpejt të jetë e mundur dhe sapo të autorizohet për të kryer aktivitete në tokën siriane”.
Në qershor të vitit 2023, Asambleja e Përgjithshme me 193 anëtarë krijoi gjithashtu një Institucion të Pavarur për Personat e Zhdukur në Republikën Arabe të Sirisë për të sqaruar fatin dhe vendndodhjen e më shumë se 130.000 personave të zhdukur si rezultat i konfliktit./rel/
Peci: Në 2024 janë ndarë 89 milionë euro grante e subvencion...
Murati dhe ATK prezantojnë performancën e vitit 2024 në konf...
Konfirmohet rasti i patë i Lisë së majmunëve në Kosovë
IKD: Procesi për përzgjedhjen e kryeprokurorëve-kryesisht me...
Rama me magjinë e rrugës për në Kolonjë, uron një ditë të mb...
Guterres: Bombardimet e Izraelit në Jemen janë jashtëzakonis...